Ndërrimi i viteve i ka gjetur punonjësit e policisë larg familjarëve tëe tyre dhe në krye të detyrës. Kjo ka bërë që bilanci i nxjerrë sot nga Policia të jetë pa krime, grabitje dhe vrasje.
Sipas bilancit zyrtar të autoriteteve 17 persona janë plagosur lehtë si pasojë e fishekzjarreve, kurse një person është nisur me urgjencë nga Dibra drejt Tiranës pasi u dëmtua rëndë në njërin sy.
Një adoleshent ka gjetur vdekjen pasi plasi fishekzjarret. Trupi Ii16 vjeçarit është nisur drejt Tiranës për një analizë të specializuar për të gjetur shkakun e vdekjes së tij.
RAPORTI I PLOTE
Festa e nderrimit te viteve i gjen mijera punonjes policie, larg familjes, ne detyre ne sherbim te qytetareve
Garantohet siguria e festave
Policia e Shtetit vlereson bashkepunimin me qytetaret dhe mediat ne kete aspekt, per mbarevajtjen e festave Policia e Shtetit, në kuadër të garantimit të rendit e sigurisë publike, parandalimit të ngjarjeve kriminale apo ato rrugore, mori një sërë masash shtesë me rastin e festës së ndërrimit të viteve. Njësia Antieksploziv e RENEA-s, duke përdorur qentë antieksploziv, gjatë orëve të mbasdites së datës 31 Dhjetor 2017 kanë kontrolluar parkingun e nëndheshëm në sheshin ‘Skënderbej’, ku pati festime.
Ky shesh më pas është marrë nën kontroll nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe ne bashkëpunim me Policinë private, kanë kontrolluar automjetet që u parkuan deri në orët e para të mëngjesit të datës 1 janar 2018. Kontrolle të imtësishme nga agjentë të antiterrorit janë kryer në të gjitha sheshet kryesore ku do kryheshin festime me rastin e ndërrimit të viteve.
Gjatë ndërrimit të viteve si rezultat i hedhjes së fishekzjarreve, në të gjithë vendin janë lënduar lehtë 17 persona, të cilët kanë marrë mjekim dhe janë larguar në banesat e tyre, ndërsa 1 shtetas nga Dibra është transportuar për në Tiranë për ndërhyrje më të specializuar pasi ishte dëmtuar në sy. Është dëmtuar gjithashtu 1 automjet i parkuar, si pasojë e përdorimit të fishekzjarreve. Në Laç shtetasi K.Gj, 16 vjeç, banues në Sanxhak, është gjetur i vdekur nga familjarët në taracën e banesës së tij me një dëmtim në koke.
Trupi i viktimës është dërguar në Tiranë për një ekspertizë mjeko-ligjore më të specializuar për të përcaktuar nga se i është shkaktuar dëmtimi që ka humbur jetën. Nuk ka patur ngjarje kriminale si grabitje me dhunë ose me armë, apo plagosje e vrasje, si dhe nuk është shënuar asnjë aksident me pasojë vdekjen apo me plagosje të rënda. Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 aksidente me pasoja të lehta.
Policia Rrugore në të gjithë vendin ka vijuar gjatë gjithë orëve të para të mëngjesit kontrollin për parandalimin e drejtimit të automjetit nën efektin e akoolit apo në gjendje të dehur, për shpejtësinë tej normave të lejuara si dhe për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, por edhe për shkelje të tjera që janë burim aksidenti. Në të gjithë vendin janë pezulluar 32 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, nga to 14 patenta vetem ne Tirane.
Nga Policia Rrugore e Tiranës, gjatë orëve të para të mëngjesit është arrestuar 1 drejtues mjeti për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
(F.M/Faxweb)