Joe Biden dhe Donald Trump kanë nderuar ish-presidentin e SHBA-së dhe fituesin e çmimit Nobel për Paqe, Jimmy Carter, i cili ka ndërruar jetë ditën e djeshme në moshën 100-vjeçare. Carter, i cili jetoi më gjatë se çdo president në historinë amerikane, ndërroi jetë të dielën pasdite në shtëpinë e tij në Plains, Georgia.
Biden e përshkroi atë si një njeri me parime, besim dhe përulësi, ndërsa Trump tha se të gjithë amerikanët i detyrohen Carterit një borxh mirënjohjeje.
Carter e nisi rrugëtimin e tij drejt Shtëpisë së Bardhë nga një fermer, duke u bërë më pas presidenti i SHBA në vitin 1977, përpara se të detyrohej të largohej nga Shtëpia e Bardhë pas vetëm një mandati katër-vjeçar, kur Ronald Reagan fitoi në zgjedhjet e ardhshme.
Pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë me vlerësime të ulëta sa i përket pëlqimit, reputacioni i tij u rikthye përmes punës humanitare që i dha atij Çmimin Nobel për Paqe.
“Sot, Amerika dhe bota humbën një udhëheqës të jashtëzakonshëm, burrë shteti dhe humanitar. Për të gjithë të rinjtë në këtë komb dhe për këdo që është në kërkim të asaj që do të thotë të jetosh një jetë me qëllim dhe kuptim – një jetë të mirë – studioni Jimmy Carter, një njeri me parime, besim dhe përulësi. Ai tregoi se ne jemi një komb i madh, sepse ne jemi një popull i mirë – i denjë dhe i nderuar, i guximshëm dhe i dhembshur, i përulur dhe i fortë”, thanë presidenti Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden në një deklaratë.
Biden njoftoi se një ditë zie kombëtare do të shpallet më 9 janar. Ai gjithashtu urdhëroi që flamujt të qëndrojnë në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike dhe ushtarake për 30 ditë, një periudhë që përfshin deri në marrjen e detyrës nga Trump.
Ndërkohë, Trump postoi në Truth Social: “Sfidat me të cilat u përball Jimmy si president erdhën në një moment kyç për vendin tonë dhe ai bëri gjithçka në fuqinë e tij për të përmirësuar jetën e të gjithë amerikanëve. Për këtë, ne të gjithë i detyrohemi atij një borxh mirënjohjeje”.
Trump më parë u tall me mandatin e vetëm të Carter në fushatën elektorale përpara fitores së tij në zgjedhjet presidenciale të këtij viti dhe tha në 2019: “Ai është një njeri i mirë. Ai ishte një president i tmerrshëm”.
Kjo erdhi pasi Carter e quajti Trump një “president të paligjshëm”, duke pretenduar se ai u ndihmua në Shtëpinë e Bardhë nga ndërhyrja ruse në zgjedhjet e vitit 2016, diçka që Moska dhe Trump e mohojnë.