Vlorë Mehmeti-Tërshani, shkencëtarja shqiptare në Universitetin e Vjenës ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare. Kjo pasi prej disa kohësh ajo vuante nga një sëmundje e rëndë.
Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur stomatologu Xheladin Ujkani, njëherësh drejtori i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”. Në faqen e tij në “Facebook”, Ujkani bën një retrospektivë të sukseseve dhe gjurmëve që la pas e ndjera.
Vlora ishte e para dhe e vetmja nxënëse emigrante, që në gjithë historinë e gjimnazit në Vjenë, nuk e përsëriti klasën sipas rregullores për përvetësimin e gjuhës, duke mbaruar me rezultate të larta dhe afat rekord, dhe duke i cilësuar për këtë një rast i veçantë.
Postimi i plotë:
Ka vdekur shkenctarja shqiptare e Universitetit të Vjenës, Vlorë Mehmeti -Tershani.
Pas një sëmundje të rëndë, në Vjenë të Austrisë, në moshën 35-vjeçare ka vdekur shkenctarja shqiptare Vlorë Mehmeti –Tershani. Vlora Mehmeti – Tërshani, ka lindur me 20.03.1982 në fshatin Beçiq të Drenicës, Komuna e Vushtrrisë. Vlora rrjedhë nga një familje arsimdashëse dhe atdhedashëse. Babai i saj, Hazir Mehmeti ishte ndër profesorët e parë të Biologjisë në Drenicë dhe aktualisht Kryetar i shoqatës së mësuesve shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri.
Kush ishte Vlora
Sukseset e Vlorës nisën herët. Ajo përfundoi fakultetin e Farmacisë me sukses të lartë në Vjenë. Temën e Magjistraturës në Tokio (Japoni) tek Profesori i njohur Asakaëa Yoshinori në gjuhën angleze duke u vlerësuar me notë të lartë dhe mbrojtur shkëlqyeshëm.
Shkencëtarja shqiptare punonte në universitetin e Vjenës në sektorin e njohur laboratorik për hulumtime shkencore njërin nga më të njohurit në sferën e mikrobiologjike. Me punët e saj hulumtuese ajo e ka prezantuar universitetin e Vjenës në disa kongrese botërore të hulumtuesve nga lëmi i farmacisë dhe mikrobiologjisë, ku mori vlerësime të larta për rezultatet hulumtuese. Këto hulumtime u botuan në revistat shkencore më prestigjioze të qendrave shkencore botërore.
Një vit më parë Universitetin e Vjenës mbrojti temën e doktorraturës nga lëmia e mikrobiologjisë, studiuesja shqiptare Vlora Mehmeti – Tërshani.
(E.K/SHUPLAKA)