Është ndarë nga jeta sot si pasojë e një arresti kardiak kampioni olimpik në peshëngritje Ymer Pampuri. Pampuri ka qenë kampion olimpik në stilin e forcës.
Ymer Pampuri fillimisht ka pasur një pasion për cirkun. Në moshën 7-vjeçare pasioni i tij ka qenë cirku, por më pas do të bëhej peshëngritja. E ka zbuluar për herë të parë talentin e Ymerit në peshëngritje, Telat Agolli, i cili mandej e mori Ymerin në palestër dhe nisi ta stërviste. Nuk ishte më shumë se 20 vjeç, kur u shpall për herë të parë kampion kombëtar me peshën 120 kilogramë. Në 1972 Ymer Pampuri do të përfaqësonte Shqipërinë në Kampionatin Evropian që u organizua në Rumani.
Ishin në përgjithësi sportistë dhe trajnerë pa përvojë të madhe. Shqipëria prezantohej aty për herë të parë. U shpall nënkampionë me peshën 125 kilogramë, e njëjtë me atë të vendit të parë, por mandej pesha trupore bëri diferencën. Në të njëjtin vit merr pjesë në Lojërat Olimpike që zhvilloheshin në qytetin e Mynihut. Në moshën 27-vjeçare, peshëngritësi i “17 Nëntorit” të Tiranës theu në Gjermani rekordin olimpik të Yoshinobu Miyake të Japonisë në stilin e forcës.
Gara u zhvillua më 29 gusht 1972 dhe Ymer Pampuri arriti të ngrinte 127,5 kilogramë. Veç medaljeve e titujve, i është akorduar edhe titulli “Mjeshtër i Madh i Punës”, si dhe urdhri “Naim Frashëri” i klasit të parë. Në vitin 1981 heq dorë përfundimisht nga sporti, që i kishte dhuruar aq shumë emocione për disa vjet radhazi dhe u rikthye në mjediset e Cirkut të Tiranës, aty ku do të dilte në pension në moshën 50-vjeçare. (E.K/SHUPLAKA)