Ndërtimi i Bypass-it në lagjen muzeale të qytetit të Gjirokastrës ka shkaktuar problemet e para ende pa filluar implementimi i tij. Zbatimi i këtij projekti ka shkaktuar debate e zemërim te qytetarët dhe specialistët e monumenteve. Lagjja e parë e këtij qyteti, “Pazari i Vjetër”, rrezikon të zhduket në një pjesë të mirë të saj, si pasojë e këtyre punimeve.
Banorët pohojnë se ky projekt jo vetëm që shkatërron dy prej shtëpive më të vjetra të saj, por rrezikon të gjitha banesat e tjera.
Po kaq e rrezikuar është edhe kisha më e vjetër e këtij qyteti, “Kisha e metamorfozës” që daton në vitin 1776. Punimet që po kryhen në zonën muzeale kanë dhënë pasojat e para në muret anësore të rrethimit të kësaj kishe, një pjesë e së cilave janë shembur.
Sipas banorëve, toka ku aktualisht janë dy banesat disa-vjeçare, monument kulture të kategorisë së dytë, është e paqëndrueshme dhe e rrëshqitshme, si rrjedhojë, e papërshtatshme për punime të tilla. Në një peticion drejtuar ministres Kumbaro dhe gjatë takimit të fundit zhvilluar me të, ata kanë parashtruar pretendimet e tyre, të argumentuara nga specialistët e fushës.
Por pavarësisht kësaj, kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh. Tashmë projekti I kundërshtuar fort nga qytetarë e specialistë vendas ka kaluar procedurat e prokurimit. Ajo që është më absurdja në të gjithë këtë projekt është hartimi i saj pa konsultimin e banorëve dhe specialistëve vendas. Dëgjesat publike kanë qenë një farsë e plotë dhe mendimet e shprehura nga inxhinierë apo specialistë monumentesh vendas, nuk janë marrë parasysh. Madje ky projekt nuk ka kaluar as në këshillin bashkiak të qytetit, por ka ardhur i gatshëm si një projekt qeveritar duke nxjerrë jashtë loje ata që janë përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij projekti, vetë gjirokastritët.
Projekti i bypassi-it synon të zgjidhë problemin e trafikut në Pazarin e Gjirokastrës, duke e shndërruar atë në një zonë për këmbësorë, duke lehtësuar qarkullimin e tyre dhe duke krijuar dy sheshe të reja parkimi që pritet të lehtësojnë qarkullimin e makinave.
Ndërtimi i tij po bëhet paralelisht me projektin e plotë për restaurimin dhe konsolidimin e Pazarit të Gjirokastrës, i cili përfshin studimin urban të Pazarit, restaurimin, rehabilitimin dhe rivitalizimin e rrugëve dhe trotuareve të tij si dhe rikonstruksionin e Sheshit “Çerçiz Topulli”. Të paktën kjo është ajo që thuhet në letër.
Por sipas ligjit 9048 “Për trashëgiminë kulturore”, neni 29 thuhet se “nuk lejohet asnjë ndërtim brenda qendrave historike”.
Nga ana tjetër specialistët e monumenteve të kontaktuar nga SHUPLAKA, pohojnë se projekti i cili do të implementohet është mbi 50% i ndryshëm nga ai që fitoi konkursin ndërkombëtar. Një studim i studios italiane Torresi në vitin 2003, e ka përcaktuar zonën ku pritet të kalojë bypassi, si zonën më të rrezikshme sizmike dhe gjeologjike.
Inxhinieri gjirokastrit Pilo Dhami pohon se kjo rrugë është e papërshtatshme dhe si rrjedhojë do të jetë jofunksionale. Ai jep si argument bazë pjerrësinë e vendit ku pritet të kalojë rruga e cila është disa herë më lart se norma e lejuar. Shto këtu edhe faktin që kjo rrugë është e izoluar nga rrezet e diellit dhe si pasojë, në dimër mbizotërojnë ngricat, çka vështirëson më tepër qarkullimin e automjeteve dhe kthehet në burim të sigurt aksidentesh.
Jofunksionalizimi i kësaj rruge vërtetohet edhe nga pohimet e banorëve të tre lagjeve të sipërme të qytetit “Manalat”, “Cfakë” dhe “Dunavat” të cilët pohojnë se pas përfundimit të bypass ata mbeten të izoluar dhe largësia e distancës që duhet të përshkojnë shumëfishohet. Për këtë arsye pothuajse asnjë prej tyre nuk mendon se do ta përdorin këtë rrugë kalimi në përditshëmri.
Por ndërtimi i këtij bypassi do të jetë një kosto e lartë financiare dhe kohore për banorët e Gjirokastrës. Të gjitha këto argumente duket se janë të pamjaftueshme për ministrinë e kulturës dhe institutin e monumenteve për të riparë këtë projekt. Specialisët vendas kanë ofruar alternativa të tjera të përshtatshme për ndërtimin e një bypassi funksional dhe pa kosto qytetare, por zëri I tyre është injoruar me buzëqeshje.
Pyetja shtrohet nëse kjo rrugë dhe ky projekt restaurimi, janë prioritet për Gjirokastrën?! 4.2 milion lekë do të hidhen vetëm për 457 m gjatësi rruge, ndërkohë që Gjirokastra vuan sot rrënimin e vazhdueshëm të vlerave të veta kulturore. 20 monumente kulture në vit, humbasin sot në Gjirokastër ku numërohen 91 banesa në gjendje të mjeruar dhe 30 të tilla të rrënuara totalisht.
Këto janë vlerat që vërtet i duhen ruajtur qytetit me vlera të veçanta arkitekturore dhe kulturore, pasuri e UNESCO, qytet i cili rrezikon eksiztencën e vet pas investimit të fundit të qeverisë. (A.R/ SHUPLAKA)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”170″ exclusions=”158,159,160,163,164,165,166,331,333,335″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]