Banorët e lagjes Nr. 2 ne Cërrik kanë protestuar sot kundër ndërtimit të terminalit të autobuzave në lagjen e tyre.
Këta banorë e kundërshtojnë me forcë ndërtimin e terminalit pasi në këtë mënyre sipas tyre ndotet ambienti dhe ajri. Ky terminal po ndërtohet në këtë lagje, në një kohë ku është kërkuar nga banorët të ndërtohen hapësira të gjelbra dhe parqe për fëmijë.
“Unë dua lodra dhe makina” u shpreh njëri nga fëmijët që ishte i pranishëm në protestë.
Njëri nga banorët tha që në të gjitha zonat urbane terminalet ndërtohen jashtë qytetit dhe vetëm në Cerrik ndodh e kundërta.
“Dhe në Tiranë po çojnë te Ura e Farkës. Çdo terminal po tentohet të nxirret jashtë qytetit vetëm këtu duan ta ndërtojnë brënda në lagje.” u shpreh njëri nga banorët.
“Gjithë smogu do vijë këtu, gjithë zhuli do vijë këtu. Ne e kemi parashtruar ankesën në Bashki. Ata na janë përgjigjur se kanë bërë dëgjesa, por asnjë nga banoret e lagjes nuk ka qenë i pranishëm.” u shpreh një tjetër protestues.
Ndërkohë një banor tjetër shprehet se ka një vëlla të sëmurë dhe zhurmat mund të përkeqësojnë gjendjen e tij.
Ata kanë paraljmëruar se do të protestojnë deri sa të dëgjohet zëri i tyre.
Nga Bashkia Cërrik bëhet me dije se do të ndërtohet një vend parkimi provizor me brez te gjelbër, duke respektuar të gjitha parametrat e kërkuara.