Një nënë nuk mund të hante ose të puliste sytë për rreth 5 javë. Për shkak të një ftohjeje të vazhdueshme, të kombinuar me stres të akumuluar, gruaja pësoi paralizë totale të fytyrës.
Shayna Aldrich nga New York, vuri re se diçka nuk po shkonte mirë që në muajin Janar. Fillimisht iu desh “të luftonte” një virus që zgjati rreth 2 javë, për t’u rikthyer në punë si kamariere në momentin më të ngarkuar të vitit.
Një ditë ullinjtë i shijonin si metal, çka shqetësoi familjen e saj, të përbërë nga bashkëshorti Patrick dhe vajza 8-vjeçare Lola. 34-vjeçarja nuk i kushtoi rëndësi, por të nesërmen u zgjua me mjekër dhe gojë të mpirë. Ndërsa ditën tjetër iu paralizua e gjithë fytyra.
Sipas mjekëve, Shayna kaloi një formë të rrallë paralize, çka ishte shkaktuar nga virusi dhe stresi. Ata i dhanë steroide për të reduktuar enjtjen e nervave dhe i thanë që e vetmja gjë që mund të bënte ishte të priste.
Ndërkohë ajo nuk mund të hante, të pinte e të fliste normalisht, si dhe nuk mund të puliste sytë. Përpos këtyre vështirësive, ajo përballej dhe me reagimet e ndryshme të njerëzve në rrugë, të cilat ndikonin shumë në gjendjen e saj emocionale.
“Ndihesha si një monstër. Zakonisht mundohesha të qeshja me të, duke e krahasuar veten me Kuazimodon, por me kalimin e kohës ishte më e vështirë”, u shpreh Shayna. Ajo mund të lëvizte vetëm gjysmën e fytyrës për 5 javë, derisa një ditë në punë kuptoi që mund të shprehte çdo emocion. Doli para pasqyrës dhe pa sërish veten.
“Njerëzit nuk e kuptojnë këtë lloj paralize, por nëse jeni diagnostikuar qetësohuni sepse nuk jeni të vetëm. Bëni kërkimet tuaj, edukoni veten dhe mbi të gjitha kujdesuni për veten”, e përmbylli 34-vjeçarja./tvklan.al