Për shkak të reshjeve të dendura nga dëbora, shumë familje në Mirditë kanë mbetur të izoluara në banesat e tyre.
Për këtë, në këtë zonë kanë nisur operacionet nga ajri për tju ardhur në ndihmë këtyre banorëve.
Një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes udhëtoi sot në drejtim të fshatit Fushë-Luxhe, në lartësinë 1350 metra mbi nivelin e detit, në Njësinë Administrative të Oroshit, pas alarmit të dhënë nga një familje prej 4 anëtarësh të cilëve iu kishin përfunduar ushqimet.
Bashkia Mirditë dhe Emergjencat Civile dërguan ndihma ushqimore për njerëzit dhe bagëtinë në zonat e thella malore.
Sipas kryetarit të Bashkisë së Mirditës Ndrec Dedaj, ky dikaster vijon të jetë në gadishmëri prej disa ditësh, për të ndihmuar banorët e izoluar nga dëbora.
“Do çojmë 10 pako ndihma ushqimore. Kemi siguruar 5 kuintalë koncentrat misër për blegtorinë”, u shpreh kryebashkiaku.
Sipas raportimeve, në këtë zonë shumë fshatra të thella malore vijojnë të jenë të izoluara nga dëbora dhe akulli. (D.D/Shuplaka)