Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Fax News”, gjatë vizitës së tij në Tiranë si rrjedhojë e zhvillimit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Ndër të tjera, Xhaferri foli për ndjesinë e tij si kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, duke u shprehur se tashmë prioriteti i tij është përkushtimi dhe realizimi i obligimeve për këtë pozicion.
“Unë mendoj që çështjet e ndjesive emocionale kanë mbaruar me ditën e zgjedhjes dhe votimit. S’do mend që ndihem përgjegjës, i përkushtuar për punët dhe obligimet që dalin nga pozicioni dhe funksioni si kryeministër i vendit; e s’do mend që do të kem përkushtimin, përgjegjësinë dhe llogaridhënien në kontekst të punës. Ndjesia ka kaluar me ditët e para, tashmë vijojnë detyrat e përditshme.”
Ndërkohë, i pyetur nga gazetarja Jonida Omeri mbi çështjen e unifikimit të shqiptarëve, Xhaferri tha:
“Çështja e unifikimit në kontekst të demokracisë do të thotë të jenë të gjithë një mendësi; por çështja e grupimeve është ajo që duhet të merren vetë subjektet politike, nuk është një temë që e pengon qeverinë si institucion, prandaj liderët e subjekteve politike të bëjnë përpjekjet e duhura që janë në kontekst të asajt që ata mendojnë se është rruga më e mirë për t’i organizuar, kështu që qeveria dhe unë personalisht nuk merremi me atë çështje.”