Gjergj Doçi, banesa e të cilit ra pjesë e një grabitje të dhunshme mbrëmjen e djeshme, ka rrëfyer momentet e tmerrit, kur është përballur me grabitësit, njëri prej të cilëve ka qenë i armatosur. Bashkëshortja e tij është ajo që ndodhet në gjendje më të rëndë në spital, për shkak se grabitësit e kanë qëlluar në kokë. Burime bëjnë me dije se ajo do të dërgohet në spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar.
Doçi tregon se fillimisht ka ndjerë zhurmë në banesë dhe ka menduar se kanë qenë vajzat e tij, dhe më pas kur ka zbritur ka zbuluar se ishin grabitës.
“30 minuta pasi jemi ulur të flemë, dëgjuam zhurma në banesë dhe mendova se ishin vajzat. Sa u ula në katin e parë të banesës u përballa me dy persona të maskuar dhe të armatosur. Një prej tyre më ka goditur disa herë”, shprehet kryefamiljari, ndërsa thotë se autorët nuk i ka njohur për shkak se mbanin maska.
“Unë humba ndjenjat, rashë përtokë nga goditjet. Kur u përmenda më goditën përsëri. Pak minuta pas meje ka zbritur dhe bashkëshortja, e cila është qëlluar në kokë dhe brinjë. Është dëmtuar më rëndë. Autorët morën telefona e çfarë gjetën. Më pas kam lajmëruar policinë dhe kemi ardhur në spital”, tregoi Gjergj Doçi.
Kryefamiljari tregon se ka dhënë dëshminë e tij paraprake në Polici, ku është pyetur në lidhje me punëtorët që kanë qenë në banesën e tij për punime, dhe ka dëshmuar emrat e tyre.
Nuk bëhet e ditur shuma e parave që janë marrë nga banesa, ndërkohë që autorët kanë vjedhur dhe dy aparate celularësh.
(E.K/Faxweb.al)