Duket e çuditshme, por kjo ndodh në Shqipëri. Nxënësit e shkollës 9 vjeçare “Njazi Mastori” në Sukth nuk mund të përdorin tualetin e shkollës. Ky rast është denoncuar mbrëmjen e sotme në emisionin investigativ “BOOM”, i cili raporton se shkaku i kësaj është mungesa e furnizimit me ujë.
“Tek këto banjot kot vjen sepse është bërë një gabim hidraulik. Hidraulikët kanë bërë gabime.”, tregon një nxënës për gazetarët. Ndërsa drejtori i shkollës 9-vjeçare “Njazi Mastori”, Luan Vora, thotë po e ndjekin çështjen së bashku me bashkinë e Durrësit dhe shpreson që brenda javës ti jepet zgjidhje këtij problemi.
DENONCIMI
Emisioni “BOOM” në RTV Ora News trajtoi mbrëmjen e sotme mungesën e aksesit të nxënësve në tualetet e shkollës 9 vjeçare “Njazi Mastori” në Sukth.
Dhe pse janë rikonstruktuar 3 javë më parë, dyert e tyre janë të kyçura për shkak të mungesës së furnizimit me ujë.
Për ti vënë në funksion nevojitet ndërrimi i dy pompave të ujit me pompa me kapacitet më të lartë.
Drejtori i shkollës teksa njeh problematikën, thotë se këtë çështje po e ndjek në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit, dhe se shpreson për një zgjidhje brenda javës.
Shkolla 9-vjeçare krahas mungesës së tualeteve përballet dhe me problematikën e mësimit me dy turne, mungesën e një palestre si dhe mungesën e një mësuesi mbështetës për 5 fëmijë me aftësi të kufizuar që frekuentojnë mësimin në këtë shkollë.
Gazetarja: Tualetet si janë bërë?
Nxënësi: Janë rregulluar të gjitha.
Gazetarja: Shkoni tek tualetet? Futeni në tualetet e shkollës?
Nxësësi: Jo
Gazetarja: Pse?
Nxënësi: Nuk janë hapur
Gazetarja: Te cilat tualete shkoni?
Nxënësi: Këtu, brenda….
Gazetarja: Në çfarë klase je ti?
Nxënësja: Në të 9-ën.
Gazetarja: Tualetet….?
Nxënësja: Nuk janë mirë, i kanë rregulluar por nuk i kanë hapur akoma.
Nxënësi: Tek këto banjot kot vjen sepse është bërë një gabim hidraulik. Hidraulikët kanë bërë gabime.
Nxënësi: Do të vinë hidraulikët ta bëjnë prapë banjon…. Ja nuk hapen, janë të mbyllura
(shkojmë tek dera tjetër)
Gazetarja: Eshtë e mbyllur dhe ajo?
Nxënësi: Edhe kjo është.
Shkolla 9 vjeçare “Njazi Mastori” është e përbërë nga tre ndërtesa, dy prej të cilave janë ndërtuar në vitin 1964 dhe një në 1974.
Rikonstruksionet e fundit të bëra në këtë shkollë datojnë në 1998. Mbi 900, është numri i fëmijëve që frekuentojnë këto ambjente ku 105 janë fëmijë parashkollore në kopësht.
3 javë më parë janë marrë në dorëzim tualetet e rikonstruktuara por që vazhdojnë të jenë jashtë funksionit, qëndrojnë të mbyllura për shkak të problemit që është me furnizimin me ujë.
Problemi qëndron tek pompat, ato që janë vendosur nuk kanë kapacitetin e mjaftueshëm që të furnizojnë me ujë gjatë gjithë kohës tualetet.
Deri në momentin që këto pompa me kapacitet të lartë të vendosen është vendosur që tualetet të qëndrojnë të mbyllura.
Zgjidhja që është menduar deri në hapjen e tualeteve të rikonstruktuara është përdorimi i tualeteve që më parë ishin për mësuesit. Por për shkak të fluksit të madh të fëmijëve ndodh që këto tualete bllokohen siç ndodhi dhe ditën që kamera e BOOM ishte në Sukth.
Drejtori i shkollës 9-vjeçare “Njazi Mastori”, Luan Vora, thotë po e ndjekin çështjen së bashku me bashkinë e Durrësit dhe shpreson që brenda javës ti jepet zgjidhje këtij problemi.
Luan Vora: Në mjediset e brendshme kemi kërkuar herë pas here që në godinën një katëshe të krijohej një ambjent i cili të ishte me tualete dhe nxënësit të kishin tualete në atë godinë dhe tualetet që kanë qenë pas shkollës të rikonstruktoheshin dhe të shërbenin për pjesën tjetër të shkollës. Për fat tualetet e kopshtit janë brenda, nuk themi që janë në gjendje perfekte por që funksionojnë. Kanë nevojë për ndërhyrje. Në momentet e fundit pasi është rikonstruksioni i tualeteve jashtë na ka dalë problemi i furnizimit dhe shpërndarjes me ujë në shkollë. Jemi në bashkëpunim edhe me bashkinë në Durrës për ti dhënë një zgjidhje përfundimtare dhe problemit te ujit. Nëse procedurat ecin me hapin e duhur, besoj brenda javës do të kemi një zgjidhje sepse jemi prej kohësh duke e ndjek.
Problemi i tualeteve nuk është i vetmi. Shkolla përveçse funksionon me dy turne,nuk k aka as palestër. Ora e fizkulturës zhvillohet në ambjentet e jashtme të shkollës.
Luan Vora: Mjediset sportive kanë nevojë për një ndërhyrje të menjëhershme, megjithëse herë pas here është bërë nga ne një kërkesë për një palestër e cila do të mundësonte krijimin dhe të ekipeve të shkollës, ekipe të mirëfillta, por jo vetëm. Palestra do ti shërbente edhe lëndës së edukimit fizik që të bëhet në kushte normale. Hapësira në mjediset e jashtme është e bollshme. Fushat e futbollit dhe volejbollit janë funksionale. Fusha e basketbollit është pjesërisht sepse janë amortizuar tabelat. Ne kemi kërkuar që në kohën që Sukthi ishte Bashki që të krijohej mundësia për mjedise sportive, mundësisht të mbyllura.
Ndërkaq në këtë shkollë ndjekin mësimin dhe 5 fëmijë me aftësi të kufizuara.
Luan Vora: Komisioni shkollor, Kinjaku që quhet, ky Komision ka evidentuar mbi bazën e statistikave të këtyre fëmijëve që na janë relatuar nga mësuesit kujdestarë në Komisionin pranë DAR-it, 5 prej tyre. Komisioni pranë DAR-it ka bërë vlerësimin përkatës për këta fëmijë, orët që duhet në dispozicion nga një mësues mbështetës. Duhet të kishte mësues mbështetës por nuk ka ardhur dhe këtë pjesë e kemi menaxhuar me mësuesit kujdestarë deri kur të vijë mësuesi ndihmës. Shumë prej mësuesve janë në dijeni të këtyre problemeve sepse planet për këta fëmijë janë plane individuale edukimi që hartohet mbi bazën e vlerësimit nga Drejtoria Arsimore, nga psikologia në bashkëpunim me mësuesin dhe gjithmonë me praninë e prindrit. 6 orë për secilin është evidentuar për 2 nxënësit nga 5 të lartpermendurit, për 3 të tjerët nuk është bërë një vlerësim që duhet të ketë mësues. Norma e një mësuesi minimalisht është 22 orë për ciklin e ulët, që do të thotë që është gjysëm mësuesi. Nëqoftëse flasim me normë mësimore nuk plotësohen kriteret për një mësues ndihmës me këtë kuotë të përcaktuar nga DAR. E kanë zgjidhur mësueset kujdestare, por kjo nuk është një zgjidhje, mësuesi mbështetës, ndihmës, ka rolin e vet.