Pak javë më parë bashkia e Skraparit i akordoi titullin “Qytetar Nderi” mjekut të njohur infeksionist Pëllumb Pipero, i cili pati një rol të rëndësishëm gjatë pandemisë së Covid 19.
Ndërkohë veç titullit të nderimit, bashkia e Skraparit ka vendosur që të hapë një tender për organizimin e një dreke me rastin e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” mjekut Pëllumb Pipero.
Për këtë arsye, Bashkia ka shpallur ftesën për ofertë për të gjithë të interesuarit. Tenderi do të zhvillohet më 11.06.2020, në orën 10:30. Dreka do të ketë 60 të ftuar, ndërsa menuja parashikon tre pjata kryesore, pije dhe fruta.
Fondi limit i parashikuar nuk bëhet me dije, sikundër nuk dihet nëse në drekë do të jetë edhe vetë mjeku apo është thjesht për t’u kënaqur anëtarët e Këshillit Bashkiak Skrapar me stafin e bashkisë.
Mjeku Pipero u shpall Qytetar Nderi i Skraparit në fund të muajit maj. Me propozim të kryetarit të Bashkisë Skrapar, Adriatik Mema, këshilli i bashkisë ia dha këtë titull më 28 maj.
Titulli u dha me motivacionin “Për veprimtari të shquar profesionale dhe akademike gjatë karrierës së tij në fushën e mjekësisë, veçanërisht në atë të sëmundjeve infektive, si dhe për kontributin e çmuar profesional dhe publik ne përballimin e situatës së pandemisë të shkaktuar nga Covid-19”. (M.Q/Faxweb.al)