Situata në spitalin rajonal të Beratit paraqitet tejet e vështirë. Kjo jo vetëm për shkak se qytetarët duhet të presin me orë të tëra në radhë, në temperature të larta dhe kushte aspak të përshtatshme për të bërë vizitën te mjeku kardiolog.
Çudi më e madhe është fakti se ky mjeku kardiolog, i vetmi në spital duhet të përballojë mbi 100 vizita në ditë. Dhe ai detyrohet të bëjë jo vetëm rolin e mjekut kardiolog, por edhe të gjinekologut.
Në një kronikë të Report Tv, kardiologu Julian Ranxha, me gradën doktor shkencash,tregon se çfarë i duhet të përballojë gjatë një dite pune në këtë spital.
“Kam shumë ngarkesë dhe i vetëm duhet të përballojë jo vetëm vizitat në Repartin e Kardiologjisë, por edhe konsultat e spitalit, të sëmurët kardiakë të reanimacionit të shtruar në patollogji, konsultat e kirurgjisë për të sëmurët që duhet të operohen, konsultat e gjinekologjisë për gratë shtatëzëna, fëmijët në pediatri që kanë probleme të lindura, ndërkohë që duhet të jetë njëkohësisht në gatishmëri për të gjitha urgjencat nga problemet e zemrës, ditën dhe natën”, thotë mjeku Julian Ranxha.
Në këto ditë ku temperaturat e larta kanë shtuar rrezikun për sëmundjet, vështirësia është shtuar akoma më shumë për mjekun.
Në disa raste kardiologut i duhet të shoqërojë të sëmurët rëndë drejt QSUT-së në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Mirëpo në këtë mënyrë ai detyrohet të lërë në mëshirë të fatit pacientët në Berat, të cilët vetëm tek ai i kanë varur shpresat. (D.D/Shuplaka)