Pas incidentit në Ksamil, ka reaguar kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Floriana Koka, e cila u ka kërkuar ndjesë qytetarëve për ndotjen e ujërave të plazhit, si pasojë e shpërthimit të një tubacioni të ujërave të zeza.
Mirëpo në deklaratën e saj, Koka i ka hequr përgjegjësitë nga Bashkia e Sarandës, duke thën se projekti është financuar dhe asistuar nga Bashkimi Evropian.
“Bashkë me këtë shqetësim shkon edhe ndjesa për të gjithë ata që e kanë ndjerë veten të dëmtuar nga kjo situatë. Ndjesa më së pari vjen nga institucionet e shtetit, në radhë të parë Bashkia Sarandë. Dhe më pas ajo çka lindi si nevojë ishte normalizimi i situatës. Banorët gjithashtu kishin një ndihmesë shumë të madhe.
Është një projekt jetik për Ksamilin, jetik për Bashkinë e Sarandës, por është një projekt që është kontraktuar në vitin 2012 nga delegacioni i Bashkimit Evropian. Bashkia Sarandë është vetëm përfitues dhe nuk kanë pasur dorë në të.”, është shprehur kryetarja e bashkisë.
Ujërat e zeza që dolën në sipërfaqe si pasojë e plasjes së një tubi përveçse kanë ndotur detin kanë përmbytur dhe rrugët aty ku kanë shpërthyer një ditë më parë. Pamjet janë vërtetë shqetësuese për një vend si i yni i cili synon të tërheqë sa më shumë turist falë natyrës së bukur, ndërsa infrastruktura e dobët shkatërron gjithçka.
Sakaq, pas ngjarjes Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve ka gjobitur Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kalanizimeve pranë Bashkisë së Sarandës në masën e 5 milionë lekëve të vjetra. (D.D/Shuplaka)