Zgjidhja që Bashkia e Fierit u ofron banorëve të Sheqit penalizon banorët e Vërrisë dhe fshatrave përreth të cilët prej më shumë se një viti protestojnë kundër ndërtimit të inceneratorit pranë tokave e shtëpive të tyre
Ndotja nga vend depozotimi i mbetjeve urbane në Sheq të Fierit, banorët denoncojnë bashkinë si përgjegjëse të situatës
Të lodhur nga indiferenca e Bashkisë Fier për një zgjidhje përfundimtare lidhur me ndotjen që shkakton vend-depozitimi i mbetjeve urbane në lagjen Sheq të këtij qyteti, banorët së bashku me Qendrën Mjedisore për Zhvillim Edukim dhe Rrjetëzim “EDEN”, më datë 30 korrik 2018 kanë depozituar një kërkesë padi pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlroë, me objekt “detyrimin e palës së paditur(bashkia Fier), të mbyll vend depozitimin e mbetjeve urbane në Sheq, Fier si një vend depozitim pa leje mjedisore, ndotës dhe i dëmshëm për mjedisin dhe shëndetin e banorëve të qytetit të Fierit; …rehabilitimin e plotë dhe të menjëhershëm të vend depozitimit të mbetjeve urbane në Sheq”.
Në kërkesë pasi, një kopje së të cilën Fax News e disponon, citohet se “në zonën e Sheqit të Bashkisë Fier, prej vitesh depozitohen mbetjet urbane të Bashkisë Fier në një sipërfaqe që tashmë i ka kaluar 10 hektarë”. “Ne banorët ndodhemi në një situatë më shumë se të vështirë duke u përballur drejtpërdrejtë me një ndotje masive si rezultat i vend depozitimit të paligjshëm të mbetjeve urbane, e cila në gjykimin tonë është e padrejtë, e paligjshme dhe shkatërruese për shëndetin e mbi 100 familjeve rreth zonës dhe mijëra familjeve të qytetit të Fierit”, shkruhet në kërkesë padi
Neglizhenca e bashkisë
“Në lidhje me këtë vend depozitim ne si banorë i jemi drejtuar me dhjetëra herë me ankesa dhe kërkesa Bashkisë Fier por asnjë masë nuk është marrë. Së fundi ne kemi nisur një rrugë ligjore për zgjidhjen e problemit pasi u bënë 30 vite tashmë që shkelet ligji dhe e drejta jonë”, kanë pretenduar banorët denoncues në kërkesë padi.
Ata i janë drejtuar bashkisë Fier me një kërkesë për informim, ku kanë kërkuar të dhëna lidhur me ecurinë e menaxhimit e të monitorimit të vend-depozitimit si edhe një kopje te lejes mjedisore. Ata pretendojnë se ky institucion nuk u ka dhënë asnjë përgjigje në lidhje me pyetjet e paraqitura. “Nga përgjigjia e ardhur prej Bashkisë Fier në asnjë pikë nuk jepet përgjigje në lidhje me pyetjet e paraqituara nga ana jonë. Në asnjë pikë nuk jepet përgjigje për faktin a ka Bashkia Fier një leje mjedisore për funksionimin e vend depozitimit të mbetjeve urbane për Bashkinë Fier në Sheq; raportet vjetore të monitorimit të vend depozitimit të mbetjeve urbane në Sheq për 5 vitet e fundit, Planin e përmirësimit të vend depozitimit; Vendimin zyrtar të Bashkisë Fier i cili deklaron dhe argumenton mbylljen e vend depozitimit të mbetjeve urbane në Sheq; planin vendor të menaxhimit të mbetjeve në Bashkinë Fier”, pretendojnë denoncuesit në kërkesë padinë e tyre. “… Ne konstatojmë se vend depozitimi mbetjeve urbane në Sheq, Bashkia Fier funksionon pa leje mjedisore, në kundërshtim të plotë me kuadrin ligjor mjedisor në fuqi dhe se Bashkia Fier ka përgjegjësi të drejtëpërdrejtë”, shkruhet në kërkesë padi.
Vend depozitimi pa leje mjedisore
Në këto kushte, më datën 15.02.2018 denoncuesit kanë kërkuar informacion pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit duke i kërkuar: planin e përmirësimit të vend depozitimit të mbetjeve urbane në Sheq, të Bashkisë Fier; dokumentin zyrtar të miratimit të këtij plani dhe lejen e plotë mjedisore për vend depozitimin e mbetjeve urbane në Sheq, të Bashkisë Fier. Me përgjigjen e datës 20.02.2018, Agjencia Kombëtare e Mjedisit u ka kthyer përgjigje banorëve se: “…duke qënë se pranë AKM-së nuk ka aplikim për projektin në fjalë, ju bëjmë me dije se: Agjencia Kombëtare e Mjedisit, nuk disponon ‘planin e përmirësimit të vend depozitimit të mbetjeve urbane’ në Sheq, të Bashkisë Fier; nuk ka një dokument zyrtar të miratimit të këtij plani nga AKM dhe se nuk ka leje të plotë Mjedisore për vend depozitimin e mbetjeve urbane në Sheq, Bashkia Fier.” Ndërkohë, edhe Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve u ka kthyer përgjigje se nga inspektimet e kryera ka rezultuar se vend depozitimi i mbetjeve urbane në Sheq, Bashkia Fier “është jashtë çdo kushti teknik mjedisor dhe shkakton ndotje të madhe mjedisore”.
Bashkia ka pranuar situatën emergjente
Ndër të tjera, në kërkesë padi citohet se bashkia e Fierit është përgjigjur në datën 27.02.2018 duke sqaruar se:“vend depozitimi i mbetjeve urbane i Bashkisë Fier, në Sheq prej kohësh ka qenë një nga problemet më të mprehta të qytetit dhe një shqetësim në rritje për banorët përreth. Me ndarjen e re territorial, pavarësisht mungesës së kapacitetit në këtë vend depozitim përvec qytetit nisën të grumbullohen edhe mbetjet e të gjitha njësive administrative, duke e bërë edhe më të mprehtë problemin. Në këto kushte Bashkia Fier i ka propozuar Këshillit të Bashkisë Fier shpalljen e emergjencës mjedisore , i miratuar (Vendim Nr. 40 datë 26.10.2015) ”Mbi Shpalljen e Emergjencës Mjedisore në Fushën e manaxhimit të integruar të mbetjeve urbane në Qytetin Fier” dhe Vendim Nr.25 datë 26.2.2016” Për një Saktësi në Vendimin Nr. 40 datë 26.10.2015 të Këshillit të Bashkisë Fier ” Mbi Shpalljen e Emergjencës Mjedisore në Fushën e manaxhimit te integruar të mbetjeve urbane në Qytetin Fier”, ka sqaruar bashkia Fier denoncuesit.
Zgjidhja e bashkisë për banorët e Sheqit, penalizon ata të Vërrisë
Më tej bashkia u ka përshkruar edhe zgjidhjen e mundshme, që në fakt është ndërtimi i inceneratorit në fshatin Vërri që është kontestuar prej më shumë se një viti nga banorët e zonës atje të cilët vazhdojnë protestën e tyre kundër ndërtimit të imjpantit të përpunimit me djegie të mbetjeve urbane të ngruta pranë banesave të tyre dhe në mes të tokave bujqësore, ku kanë bazuar ekonominë familjare.
“Shpallja e emergjencës mjedisore në këtë vend depozitim i hapi rrugë gjetjes së një zgjidhje përfundimtare nga ana e (ish) Ministrisë së Mjedisit , e cila ka ndjekur të gjitha praktikat e mëvonshme për ti dhënë fund këtij problemi jetik, nëpërmjet projektit te ndertimit te impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane e duke synuar kthimin e këtij vend depozitimi në një zonë të gjelbëruar dhe atraktive. Aktualisht jemi në pritje të përfundimit të gjithë praktikave dhe zgjidhjen përfundimtare të këtij ngërci mjedisor” i ka sqaruar Bashkia e Fierit banorët e lagjes Sheq.
Përgjegjësia për ndotjen në Sheq
“Duke qenë se Ligji nr. 139/2015 “Për vetqeverisjen vendore” në nenin 23 pika 10 përcakton se funksionet e bashkive në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike janë ‘Mbledhja, largimi dhe trajtimi i mbetjeve të ngurta dhe shtëpiake’. ….Dhe neni 21 pika 12 i ligjit nr. 10463 date 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar te mbetjeve” ngarkon drejtpërdrejtë me përgjegjësi për menaxhimin e integruar të mbetjeve Kryetarin e Njësisë së Qeverisjes Vendore, është e qartë se në lidhje me vend depozitimin e mbetjeve urbane në Sheq, Fier përgjegjësia për të proceduar me lejen mjedisore dhe menaxhimin e mbetjeve është e Kryetarit të Bashkisë Fier”, citohet në kërkesë padi.