Shoqata e operatoreve turistik për jugun i ka bërë kërkesë ministrisë dhe bashkisë të ndërpriten punimet në ndërtim gjatë sezonit turistik pasi po ankohen pushuesit!
Ndotje akustike dhe bllokim aksesh po sjellin punimet gjatë kësaj kohëe.
Mjetet e tonazhit të rëndë, që punojnë në ndërtim objektesh hotele, pallate apo edhe punime publike si akse rrugore po dëmtojnë turizmin.
Kjo thonë operatorët po reflektohet edhe tek përshtypjet që lënë turistët.
Kërkesa
Drejtuar: Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit;
Për Dijeni:Ministres, Znj. Mirela Kumbaro;
Drejtuar: Bashkive: Vlorë, Himarë, Sarand;
Në kuadër të përmirësimit dhe mbarëvajtjes së sezonit turistik në jug të vendit, Unioni Turistik Dega Vlorë &Sarand dhe operatorët e turizmit që aderojnë në Shoqatën Shqiptare të Turizmit (ATA) dhe që ushtrojnë aktivitete në bashkitë Vlorë- Himarë -Sarand kërkojnë nga autoritetet lokale dhe qendrore zbatimin dhe respektimin e udhëzimit të përbashkët të ministrisë së Turizmit dhe Njësive të Qeverisjes Vendore, mbi kufizimet në zhvillimin e punimeve për vepra publike dhe private në zonën bregdetare dhe turistike përgjatë sezonit turistik 2023.
Në të gjithë territorin e këtyre bashkive, mjete të tonazhit të rëndë shkaktojnë ndotje akustike dhe mjedisore dhe bëhën pengesë për zhvillimin e aktivitetit normal turistik në territor.
Operatorët turistik kërkojnë ndërprerjen e punimeve në zonën bregdetare/ turistike, akse të rëndësishme të bregdetit dhe /ose në afërsi të strukturave të akomodimit të pushuesve pasi punimet pa kritere dhe kufizime janë bërë pengese për ushtrimin e aktivitetit turistik në këto bashki.
Punimet në pikun e fluksit të pushuesve dëmtojnë drejtpërsedrejti bizneset në këtë fushë si dhe imazhin e qyteteve në përgjithësi.
Në emër të operatorëve turistik, Unioni Turistik dhe ATA, kërkon shtyrje ose ndërprerjen e punimeve për ndërtime gjithëfarë lloji në zonat turistike deri në 15 shtator si dhe kufizimin e qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë në fashat e lejuara orare që parashikon ligji dhe jashtë akseve me qarkullim të lartë turistik.
Unioni turistik fton të gjithë institucionet vendore dhe qëndrore të bashkëpunojnë për të krijuar një klimë më konstruktive për pushuesit dhe ofruesit e shërbimeve në jug të vendit .