Qeveria e drejtuar nga Edi Rama, përmes VKM-ve ka emëruar dy zëvendësministret e reja të Financave dhe të Ekonomisë, që do të jenë Vasilika Vjero dhe Adela Xhemali.
Vjero ka mbajtur më parë disa posta në qeverinë Rama, më i larti ai në krye të ARRSH-së, ku qendroi për vetëm dy javë. Asokohe ajo dha dorëheqjen për shkak se sipas saj, kishte një problem shëndetësor me vajzën.
Vjero po ashtu ka mbajtur për disa kohë dhe postin e drejtoreshës së Tatimeve.
Ndërkohë që dhe Xhemali nuk është një emër i ri, pasi ka mbajtur më parë postin e drejtoreshës së Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
V E N D I M PËR EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Adela Xhemali emërohet zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Këto dy emërime të reja vijnë pas dorëheqjes dhe shkarkimit të dy zv.ministrave të mëparshëm Erjon Luçi dhe Elton Haxhi.
Emri i Haxhit u lakua së tepërmi në media sidomos pas përplasjeve mes kompanisë amerikane International Cruise Duty Free dhe asaj shqiptare ADFD me pronare Elona Caushin për menaxhimin e dyqaneve duty free në aeroportin e Rinasit.
Një leje rinovimi brenda 24 orëve në gusht të vitit të shkuar nga zv.ministri Haxhi për kompaninën në pronësi të bashkëshortes së ish-gjyqtarit Gjin Gjoni, ndërsa tenderin e kishte fituar kompania amerikane derivoi në një sagë gjyqesh mes ADFD-së dhe MFE-së. Shkak u bë anulimi 1 muaj më pas i lejes së dhënë nga zv. ministri Haxhi.
Për këtë çështje ka reaguar disa herë dhe ambasada amerikane e cila ka ndjekur gjyqet me përfaqësinë e saj duke shprehur zhgënjim për vendimet e gjyqësorit shqiptar.

(E.K/Faxweb.al)