Në konferencë me gazetarët kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi u shpreh se ndryshimet në kodin zgjedhor duhet të kryhen 1 vit para datës së zgjedhjeve dhe në rastin më ekstrem deri në 6 muaj para zgjedhjeve parlamentare.
“Nëse do duhet të bëhen ndryshime në ligjin zgjedhor, duhet të datojnë 1 ose në rast më ekstrem 6 muaj para zgjedhjeve. Nuk di të them çfarë impakti do të ketë lidhur me standardin Teknik nëse shkohet me këtë kod. Faktori politik dhe institucional kanë pranuar nevojë për ndryshme në kodin zgjedhor, të paktën në disa aspekte. Do të ishte mirë që partitë politike të angazhohen për realizimin e ndryshimeve sa më shpejt”, tha Celibashi.
Nga ana tjetër ai u përgjigj dhe pyetjes në lidhje me votën e mundshme të shqiptarëve që jetojnë jashtë Republikës.
Celibashi tha se nëse Kuvendi nuk plotëson boshllëkun ligjor sipas Kushtetutës, vota nga jashtë e emigrantëve nuk mund të bëhet.
Sipas tij, nuk është përgjegjësi e KQZ të nxjerri akte nënligjore që mundësojnë votimin nga jashtë.
“I qëndroj të njëjtit arsyetim. Nëse Kuvendi nuk plotëson boshllëkun ligjor sipas Kushtetutës, nuk mund të zhvillohet votimi nga jashtë. Nuk është përgjegjësi e KQZ me këtë kuadër rregullator ligjor e Kushtetues, për të nxjerrë akte nënligjore që mund të mundësojnë votimin nga jashtë”, shtoi kreu i KQZ-së.