Komisioni i Ligjeve ka miratur me dakordësinë e mazhorancës dhe opozitës parlamentare ndryshimet në Kushtetutë, ku do të sanksionohen listat e hapura dhe praktikisht heqja e koalicioneve parazgjedhore. Komisioni ka vendosur në mënyrë unanime që ndryshimi i pragut elektoral të mos vendoset në Kushtetutë, dhe të jetë pjesë e ndryshimeve në Kodin Penal.
Thelbi i ndryshimeve është pika nr.3 e nenit 64 të Kushtetutës, e cila përcakton hapjen e listave zgjedhore për kandidatët, gjë e cila pamundëson dhe koaliconet tipike parazgjedhore mes forcave politike. Megjithatë, pavarësisht se përmes kushtetutës i hapet rruga këtij veprimi, ligjvënësit nuk e kanë specifikuar këtë duke theksuar se gjithçka do të përcaktohet përmes Kodit Zgjedhor.
Ndërkohë që sipas asaj që është vendosur në Kushtetutë ruhet sistemi propocional rajonal, që duket të ketë qenë dhe një nga kushtet e vendosura që në krye të herës nga kryeministri Edi Rama.
Neni 64 si ishte:
“1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona
zgjedhore shumemërore.
2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej
niveleve të organizimit administrativoterritorial.
3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e
zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin
për zgjedhjet”.
Si do të ndryshojë
“1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurim rajonal dhe prag kombëtar.
2. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar. (i cili mbetet ende i papërcaktuar)
3. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore.
Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.”
Si ndryshohet neni 68, ishte
“1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike,
koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të
paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike.
Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes
së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për
deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.
2. Në ligjin për zgjedhjet përcaktohen edhe kritere dhe rregulla të tjera të nevojshme për
organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, duke përfshirë ato për regjistrimin e zgjedhësve,
zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, vlefshmërinë e zgjedhjeve dhe shpalljen e
rezultateve të tyre”
Si do të ndryshojë
“1.Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”.
Në ndryshimet e propozuara nga relatorët thuhet se 2.3 e kandidatëve që do të jenë pjesë e listave duhet të zgjidhen nga vetë qytetarët, ndërkohë që duhet të garantohet dhe përfaqësimi gjinor.
“Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor”, thuhet në një prej amendamenteve.
Me këtë vendim të njanshëm për ndërhyrjet në Kushtetutë, Rama duket se i jep njëherë e mirë fund marrëveshjes së arritur në 5 Qershor, në Këshillin Politik, ku ishte pjesë dhe opozita jashtëparlamentare.
Në atë marrëveshje palët ishin dakordësuar që të mos ndërhyhej më para se ajo të votohej në Kuvend, por duket se ndryshimet që do të bëhen në Kushtetutë, marrëveshja disamujore e arritur me ndërmjetësimin amerikan është hedhur në erë. (E.K/Faxweb.al)