Ditën e djeshme ambasadori Donal Lu drekoi me disa gazetarë të njohur në vendin tonë.
Ambasadori amerikan Lu, ka zbutur tonet për protestën e opozitës dhe me gazetarër ka folur për disa nga pikat kyçe që shqetësojnë shqiptarët.
Përveç se kërkoi që opozita duhet të kthehet në paralement për shkak se bllokohet Vettingu, ambasadori theksoi se nuk duhet ta shohim vetëm si çadrër por edhe atë çfarë denoncohet nga ajo çadër,shkruan Ora News.
“Le të ndalojmë së vrari mendjen [thjesht] për çadrën. Le të vrasim mendjen për çështjet nën të, çështjet serioze të ngritura nga opozita: zgjedhje të lira dhe të ndershme, drogën dhe krimin e organizuar, dekriminalizimin. Këto janë gjëra serioze. Dhe mendoj se të gjitha partitë politike duhet të kërkojnë për mundësi për të nxjerrë nisma që merren me këto çështje serioze. Mendoj se çadra mund të jetë pozitive nëse shohim përparim me synimet. Çadra mund të jetë negative nëse shohim vetëm metodat, pra bojkotimi i parlamentit …apo prishja e zgjedhjeve. Prandaj, le të shpresojmë se çadra do të ketë ndikim pozitiv. Kjo sigurisht është ajo që shpresoj. Një gjë që diplomatët amerikanë thonë gjithmonë dhe me të cilën jam në një mendje është se një Shqipëri e fortë ka nevojë për një opozitë të fortë. Të gjithë, majtas e djathtas, në opozitë dhe qeveri, duhet të shpresojmë për një opozitë të fortë; kjo është pjesë e demokracisë në vendin tim dhe në Shqipëri” u shpreh amabasadori.
Përsa i përket protestës Lu u shpreh se Shtetet e Bashkuara dhe ai personalisht ndajnë disa nga synimet si të protestës, për zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimin, veprime më vendimtare kundër narkotikëve.
“Ajo që nuk ndajmë janë disa nga metodat: bojkoti i parlamentit, çfarëdo kërcënimi për të bojkotuar apo bllokuar zgjedhjet, bllokimi i reformës zgjedhore, apo zbatimi i reformës në drejtësi. Sipas mendimit tim, persona seriozë nga e djathta dhe e majta duhet të kryejnë një dialog serioz lidhur me mënyrën për t’i bërë disa gjëra konkrete për të çuar përpara zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve”, u shpreh ambasadori.
Nuk është lënë pa biseduar edhe çështja e shumë përfolur Vettingu edhe nga ana e ambasadorit Lu.
“Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do t’ia dërgojë rekomandimet e veta Presidentit, i cili ka pesë ditë për t’ia dërguar Parlamentit. Ndaj shpresoj që në një pikë të këtij procesi, rekomandimet do të bëhen publike dhe publiku shqiptar do të ketë mundësinë të shohë se çfarë pune serioze e profesionale është kryer nga Avokati i Popullit dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Për pesë ditë, do të jetë përgjegjësia e parlamentit për të marrë përfundimisht hapin tjetër, i cili është formimi i komisioneve të vetingut. E kam dëgjuar skepticizmin, e përsëris, por si përgjigje them se kam besim 100% se kjo reformë do të ecë përpara. Është në Kushtetutë! Nuk është diçka që mund të zgjedhësh! Them se rruga më e mirë për të krijuar Komisionet do të jetë me pjesmarrjen e opozitës”, tha Lu.
Edhe për zotin Meta ai theksoi se ka një marrëdhënie shumë të mirë dhe
përpiqemi të ndërtojmë një vizion të përbashkët mbi mënyrën se si të zbatohet kjo reformë.
“Roli i Kryetarit të Parlamentit Meta në miratimin e amendamenteve kushtetuese në korrik ishte me rëndësi kritike dhe, pa hezitim, do të thoja që roli i tij tani është kritik. Kemi një dialog shumë të mirë me Z. Meta dhe kolegët e tij me qëllim që të përpiqemi të ndërtojmë një vizion të përbashkët mbi mënyrën se si të zbatohet kjo reformë”, u shpreh Lu.
Edhe dekriminalizimi është një prioblem që duhet zgjidhur. “Kemi nxitur procesin e dekriminalizimit, por në dy mënyra të veçuara: njëra është ligji i dekriminalizimit, i mirënjohur, dhe e dyta është nevoja për disiplinë brenda partive politike. Në SHBA, nëse dëshiron të jesh kandidat për një parti politike kryesore, duhet t’i nënshtrohesh një viti veting nga njerëz seriozë që shohin historinë tënde. Vetë partitë duhet të marrin përgjegjësi se kë kandidojnë. Dhe, vitin e kaluar në fakt bëmë një prezantim për disa prej partive politike se si e kryejmë ne këtë në Shtetet e Bashkuara. Dhe, tani e dimë që partitë politike kryesore po i nënshtrohen një procesi për të gjetur mënyrën se si do t’i vlerësojnë kandidatët. Ambasada jonë dhe shumë ndërkombëtarë të tjerë kanë shqyrtuar nga afër listën e kandidatëve, por është edhe më e rëndësishme që këtë kanë qenë duke e bërë vetë partitë politike dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Këto janë institucione të Shqipërisë që kanë përgjegjësinë t’i parandalojnë personat nga kandidimi”, tha ambasadori.
Edhe për marrëdhënien me kreyprokuroin Llalla ai u shpreh se nuk ka asgje kundër. “Dua të them se nuk kam asgjë kundër Z. Llalla. Ishim të shqetësuar që kishte ndërmarrë tri hapa të veçuara që dukeshin se ishin të vendosura për të minuar reformën në drejtësi dhe ne i kishim bërë një premtim popullit shqiptar se kur ta shihnim këtë do të ngrinim zërin. Mendoj se duhet t’i përgjigjemi këtij angazhimi”, tha ambasadori.
Në fund dha edhe një këshillë për ata që protestojnë. “Kam një këshillë për ata që protestojnë dhe ajo është se shpresoj që do të vazhdojnë të përqafojnë reformat sepse mendoj që populli shqiptar qartësisht ka shumë shqetësime për tri çështjet që janë ngritur: zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimi dhe lufta kundër drogës. Por mendoj prapë se populli shqiptar dhe komuniteti ndërkombëtar e shohin me shumë rëndësi këtë proces reformash. Por ata nuk duhet të dëmtojnë procesin e reformës ndëkohë që punojnë për këto tri synime të rëndësishme. Në fakt, duhet të shkojnë bashkë”, përfundoi ambasadori. (J.V/Shuplaka)