Në 100-vjetorin e lindjes së Musine Kokalarit, e cila lindi më 10 shkurt 1917 në Adana të Turqisë, biblioteka e njësisë 7 e Tiranës ka marrë emrin e saj.
Ky ishte një vendim i kësaj njësie për të nderuar disidenten e pare grua në regjimin komunist, për të cilin janë organizuar aktivitete të shumta.
I pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, si dhe dy anëtarët e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve, Daut Gumeni dhe Altin Hoxha. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryebashkiaku Veliaj theksoi se është e nevojshme që ngjarje të tilla si ajo e Musine Kokalarit të mos harrohen, pasi në të kundërt shoqëria do të përsërisë sërish gabimet e së shkuarës.
Është organizuar sot Ekspozita dhe Konferenca Shkencore “Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit dhe qëndresës”.
Musine Kokalari është shkrimtarja e parë grua shqiptare, e konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist. Ajo u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 të tjerë në Rrëshen, ku vdiq në vitin 1983 nga një sëmundje e rëndë. (XH.A/SHUPLAKA)