Vetëm në harkun kohorë të 24 orëve, mbrëmjen e kaluar janë konfirmuar edhe 23 raste të reja me koronavirus në Kosovë, duke bërë kështu që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 250. Numri i viktimava ka shkuar në 7 ndërsa janë shëruar 52 të infektuar.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë me dije se rastet e konfirmuara janë raste kontakti nga qytete të ndryshme të vendit ku me sa duket virusi është përhapur gjerësisht.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, tetëmbëdhjetë (18) raste nga komuna Ferizaj (8 Sazli, 3 qytet Ferizaj, 2 Mirash, 1 Varosh, 1 Greme, 1 Talinovc i Muhaxherëve, 1 Neredime dhe 1 Lloshkobare), 2 raste Viti, 1 rast Hani i Elezit, 1 rast Prizren dhe 1 rast Prishtinë. Sot më 10 prill 2020, janë të shëruar edhe katërmbëdhjetë (14) pacient, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej pesëdhjetë e dy (52)”, thuhet në njoftim.
Sipas IKSHP-së, që nga data 8 shkurt e deri mbrëmjen e kaluar janë testuar 2 mijë e 876 mostra dhe se janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4 mijë e 176 kontakte të rasteve.
“Nga data 08 shkurt deri më 10 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.876 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej dyqind e pesëdhjetë (250) me 7 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, njofton instituti.