Gjykata e Posaçme ka liruar nga qelia 68-vjeçarin Pëllumb Abeshi pasi kanë përfunduar afatet e paraburgimit. Ish-zyrtari i Ministrisë së Mjedisit, mbahej në burg për inceneratorin e Tiranës.
Më datë 10 janar, GJKKO lehtësoi masën e Abeshit nga arrest me burg në arrest shtëpie, por pas ankimit të SPAK, Abeshi më 27 janar u kthye sërish në qeli me vendim të Apelit të Posaçëm. Tashmë ai lirohet sërish nga qelia pasi mbarojnë afatet e paraburgimit.
Abeshi ishte kryetari i Komisionit të Shpronësimit të ngritur me urdhër të Ministrisë së Mjedisit në kohën kur ky dikaster drejtohej nga Lefter Koka. Emri i Abeshit ishte mes 15 personave të tjerë për të cilët SPAK firmosi urdhër-arreste më 7 dhjetor 2023 sa i takon hetimit të nisur tre vite më parë për kontratën e koncesionit “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”
Deri tani janë ekzekutuar 12 urdhërarreste, ndërsa 3 persona, mes të cilëve Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, janë në kërkim ndërkombëtar, konsideruar koka e aferës, nën akuzë për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim parash.