Gjykata e Durrësit dha sot masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Artan Kroin dhe Gentian Elezin pasi u arrestuan tre ditë më parë për mitmarrje.
Dy Inspektorët e Hetimit Tatimor në Drejtorinë Rajonale të Tatim Taksave Tiranë do të vijojnë të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve, ndërsa kanë të drejtë të apelojnë vendimin brenda harkut të dhjetë ditëve.
Artan Kroi nuk është një emër panjohur për publikun, ai ka qenë kryetarë I njësisë nr.3 në Tiranë për PS-në, i vendosur nga ish-ministri I Brendshëm Saimir Tahiri me të cilin kishte një marrëdhënie të ngushtë, edhe ai gjithashtu në hetim si i implikuar në trafikun e drogës më “Habilajt”. Përveç kësaj Kroj njihet edhe si mik i disa deputetëve.
Dy zyrtarët, Kroi dhe Elezi akuzohen për “korrupsion pasiv dhe aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe “shpërdorim të detyrës” . Ata u arrestuan tre ditë më parë nga policia e Durrësit pas nje hetimi proaktiv 3 mujor.
Dy të arrestuarit në bashkëpunim edhe me një inspektor tjetër të shpallur në kërkim, shpërdoronin detyrën dhe ju merrnin ryshfet bizneseve gjatë inspektimit të tyre, shuma në vlera monetare që shkonin deri në 200 000 lek për çdo rast. (B.H/Faxweb)