Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka bërë thirrje për pjesëmarrje mbarëkombëtare në protestën e thirrur në datën 7 Korrik, përpara kryeministrisë.
Berisha tha se në këtë protestë janë të ftuar të gjithë qytetarët për të marrë pjesë, që të protestojnë për ndryshimin e vendit, pasi sipas tij Shqipëria është shndërruar në një shtet që lind fëmijë për emigracion.
Berisha u ndal dhe te akti normativ i kaluar dje nga qeveria në parlament, që kompeson firmat e ndërtimit për materialet. Ish-kryeministri tha se vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që në raste krizash të kompesohen biznesmenët, dhe jo qytetarët që përballen me një sërë problemesh sociale dhe ekonomike.
“Mendjet, zemrat e qytetarëve janë te protesta mbarëpopullore, unë jam këtu për të drejtuar thirrjen në emër të frontit për shpëtimin e Shqipërisë, mbarë qytetarët shqiptarë që të bashkohen në datën 7, në orën 7 përpara kryeministrisë.
Në protestën më të madhe që vendi ka njohur ndonjëherë, kurrë më parë nuk kanë pasur protestat mision më të madh se ajo e datës 7 Korrik. Ky popull po injorohet nga regjimi autokratik i Edi Ramës, njësoj si në një diktaturë të vërtetë.
Dje Edi Rama me ligj vendosi që qindra e qindra miliona euro, të fituara nga pirja e gjakut të shqiptarëve përmes bordeve, nga shtimi i të ardhurave të TVSH si pasojë e rritjes së çmimeve, në vend që tiu rikthehej atyre që vuajnë për kafshatën e gojës, Edi Rama i shpërndau me klientët e tij, që kanë fituar tendera me 99.9% të vlerës, si kurrë ndonjëherë.
Ata që kanë fituar tenderat me çmimet më maksimale, po marrin fondin e ri që të ndajnë me Ramën. Nuk ka akt me cinik, më çnjerëzor, ti këto para që i more nga dhimbja, djersa e njerëzve që punojnë, duhet të bëje gjithçka për t’iua kthyer atyre. Një dekret i pashembullt në histori, çdo shtet në situata krizash bën dekrete vetëm për të ndihmuar njerëzit në nevojë, në Shqipëri ndodh e kundërta”, tha Berisha.