Deputeti i opozitës, Kastriot Islami, ndan mendimin se në ditët e para të muajit të ardhshëm, do të krijohet qeveria “teknike”, ose siç e cilëson ai, Qeveria Kujdestare e Zgjedhjeve të Lira e të Ndershme.
Për krijimin e saj, Islami shprehet se është një çështje e mbyllur dhe e gjithëpranuar nga të gjithë, edhe nga vetë Rama, i cili “vazhdon të bllofojë deri në minutën e fundit sikur është kundër saj, thjesht për të ruajtur fytyrën dhe për ta pasur mundësi për të negociuar fort në fazën pasuese për elementët e tjerë që lidhen me krijimin e qeverisë teknike”.
Duke marrë shkas nga kjo, deputeti rendit detyrat e kësaj qeverie, teksa shprehet se duhen përcaktuar edhe afati kohor, si dhe kalendari i veprimeve për realizimin e detyrave të përcaktuara. Ndër të tjera, në shkrimin për “Syri.net”, ai rendit tri detyra kryesore të kësaj qeverie të re:
“Disa nga detyrat e qeverisë “teknike” do të ishin: i) ndëshkimi i ashpër dhe konfiskimi i pasurisë të çdo individi që tenton apo bashkëpunon për blerjen e votave me paratë e dyshimta të korrupsionit (dhënia e parave të dorë, pagesa e librit të veresieve, e tjerë), ii) përjashtimi nga kandidimi i të gjithë individëve me rekorde të tmerrshme kriminale dhe personave të afërt familjarë apo të lidhur me ta në marrëdhënie biznesi; iii) ndëshkimi i ashpër i individëve që synojnë në mënyrë direkte apo indirekte tjetërsimin e votës së qytetarëve përmes kultivimit të kanabisit dhe ndëshkimin penal ekstremal si dhe përjashtimi i përhershëm nga sistemi (duke humbur edhe të gjithë favoret që lidhen me statusin e policisë) i të gjithë policëve që kanë qenë implikuar apo do të angazhohen në kultivimin e kanabisit; iv) ndëshkimi penal ekstremal i çdo individi apo punonjësi të administratës publike (madje këto të fundit duke u përjashtuar për gjithnjë nga sistemi i administratës publike nëse kjo gjë faktohet) që kërcënon votuesit apo josh ata për të tjetërsuar votën përmes përdorimit të favoreve apo mjeteve administrative që zotëron (kërcënim me largim nga puna në këmbim të votës, joshje me ndihmën sociale, punësim i përkohshëm apo përhershëm, dhënie apo rritje e pensionit, subvencion nga shteti për biznesin e tij, favorizim në tender apo koncesion…).
Qeveria teknike duhet të hartojë të gjithë listën e ndryshimeve ligjore e institucionale që do të nevojiten për realizimin e detyrave të saj. Kuvendi ose Tryeza e partive politike do të monitorojë në mënyrë interaktive realizimin e detyrave gjatë të gjithë periudhës.”
Islami shkruan se kjo qeveri do ketë për detyrë të pengojë/neutralizojë të gjithë veprimet manipuluese, si dhe të shënjestrojë bartësit e manipulimit të zgjedhjeve.
Ai shkruan se skema e manipulimit të zgjedhjeve i ideuar nga Rama do të drejtohet/implementohet në terren sipas një skemë organizative tashmë të përpunuar. Ideatori dhe Drejtuesi politik i kësaj skeme është Rama i cili natyrisht ja delegon formalisht kompetencën një “kupole” shumë të ngushtë, të përbërë kryesisht nga një anëtarë i qeverisjes klienteliste, nga individë të njohur për rekorde të tmerrshme kriminale dhe politikanë e biznesmenë që mbajnë më vete valixhet/çantat me paratë për blerjen e votave.
(XH.A/SHUPLAKA)