Vdekja e gazetarit dhe analistit Kastriot Myftaraj ka qenë një prej ngjarjeve më të diskutuara të së enjtes.
I ndjeri dyshohet se ka kryer vetëvrasje, pasi policia konfirmoi se ai vdiq pasi u hodh nga kati i katërt e një objekti në Tiranë.
Mbi largimin e tij nga jeta ka pasur komente të shumta, pasi gazetari i ndjerë ka gëzuar një reputacion të keq te besimtarët myslimanë, për shkak të pikëpamjeve të tij kontroverse mbi fenë.
Për këtë çështje, hoxha Ahmed Kalaja bëri një postim në rrjetin social Facebook, duke porositur ndjekësit e tij që të mos shprehin ngushëllime për vdekjen e Myftarajt.
“I mbeti ëndrra pa realizuar…
Lajm i darkës së Arafatit quhet ky…
Zotin e kam dëshmitar që e besoja se do jetë shembull për tallësit me fenë para tij.
Ky ka bërë thirrje për gjenocid ndaj muslimanëve autoktonë shqiptarë, se duhet të arratisen ne Turqi a arabi?!
Madje ligjëronte çdo lloj forme spastrimi ndaj tyre… Madje kishte kallëzuar Kuranin në prokurori…
Nuk lejohet të shahet i vdekuri prandaj mbajeni veten se tregon mungesë niveli por mund të bëni dua alejhi!
Ej se mos lutet ndonjëri për rahmet, apo na thotë ngushëllime se do pësojë, BLOCK! Paralajmërim kam frikë se edhe “Lëpirsi” që merret me Kuranin do të ketë të njëjtin fat”, shkroi ndër të tjerash Kalaja në Facebook. (LEXO EDHE LAJMIN)
E një nga komentuesit ka qenë edhe reperi u njohur shqiptar, Gold AG.
Rap-artisti i cili njihet si mysliman i devotshëm dhe i ka dedikuar disa here këngë fesë, ka ironizuar me vdekjen e Myftarajt, duke shkruar në komentin e tij: “Shyqyr që nuk e paska lënë për nesër habib, se soji i tij do të kishte menduar që ishte i mirë pasi iku (vdiq) në xhuma”.
Ndërkohë, mbi këtë koment ka pasuar një tjetër replikë nga vet Ahmed Kalaja, i cili i shkruan reperit Agushi: “Ku të shkon mendja, i rrezikshëm, po edhe habib je”.