Nga Enton Abilekaj
Me kredon morale të një katoliku me prindër të krishterë që është Kryeministër i një Shteti laik dhe lexon Kuranin në Parlament, Edi Rama vendosi të mbrojë grushtin ndaj pushtetit të katërt. Me këtë kredo morale, sigurisht që mund ta bënte më një tufë gënjeshtrash që njerëz të kësaj sëre morale, i thonë pa u skuqur.
1.Ligjet e vendeve të BE.
“Së pari që ta marrin vesh të gjithë se jemi përballë një turme që nuk lexon. Ne nuk duam ligj se cdo ligj cënon lirinë tonë. Sipas një raporti të OSBE në 2017 në 3/4 te vendeve anetare te BE fyerja e shpifja është vepër penale. Nga analiza që i është bërë 28 teksteve legjislative të BE ka 3 qasje ndaj fyerjes dhe shpifjes, 20 shtete, Austria, Belgjika Danimarka Finlanda Greqia Hungaruia Polonia Portugalia Sllovakina Sllovenia Spanja Suedia Italia Letonia Luksemburgu Malta e Hollanda parashikojnë fyerjen e shpifjen si vepër penalë që dënohet me burg. 5 shtete, Qipro Irlanda Anglia Rumania e Italia nuk e parashikojnë si vepër penale por e rreguklojnë me pasojat e tyre në legjislaciionin civil dhe Anglia disponon gjobën më të lartë, 200 mijë stërlina. Së treti, Bullgaria Kroacia e Franca e konsiderojne dënim me gjobë.
Ligji më i ashpër ndaj fyerjes e shpifjes në BE është ai i Republikës federale të Gjermanisë. Kodi penal parashikon 11 vepra penale për fyerjen dhe shpifjen dhe rastërisht është vendi ku ka më pak shpifje e fyerje.
Në SHBA ndërhyhet pa vendim gjykate fare dhe mbyll me urdhër cdo lloj uebsajti e përmbajtje që konsiderohet cënuese në shumë aspekte. Në Gjermani është miratuar ligji për përmirësimin e zbatimit të ligjit në rrjetet sociale, ai është sot përpjekja më e sukseshme për të shuar përmbajtjen potencialisht të dëmshme në internet”.
Turma që nuk lexon e prirë nga shoku i tavolinës së “lacave” të vendit, është në Parlament dhe gënjen paturpësisht. Ligjet për shpifjen në të gjitha vendet e BE, janë pezulluar me vendimin unifikues të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që në vitin 2003.
Sipas këtij vendimi të marrë për 2 gazetarë rumunë, shpifja nuk duhet të trajtohet si vepër penale. Të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Europës duhet t’i binden vendimit të GJEDNJ dhe kështu ka ndodhur.
Në rastet e ligjeve për mbrojtjen nga Fake News në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani, kemi të bëjmë vetëm më portale të paregjistruara, apo publikime që rrjetet sociale duhet t’i bllokojnë dhe që lidhen kryesisht me gjuhën e urrejtjes, sigurinë kombëtare, pedofilinë, pornografinë dhe abuzimin.
- A do të jetë AMA gjykatë?
Në kuadrin e mashtrimit, Kryeministri thotë se AMA e ka rolin e kontrolluesit dhe vendimmarrësit për televizionet, do i shtohen vetëm portalet.
E para AMA nuk ka rolin e gjykatës, por rolin e mbikqyrësit të frekuencave televizive kombëtare. Pra është një autoritet që kontrollon për llogari të publikut, një pronë publike si frekuencat kombëtare.
Portalet nuk përdorin pronën publike dhe nuk mund të kenë të njëjtin status me mediat audiovizive, dhe aq më pak një mbikqyrje shtetërore.
E dyta, roli mbikqyrës i AMA-s sot bëhet rol gjykues. Ndërsa deri sot Autoriteti monitoron mediat audiovizive, nga sot do të pranojë çdo ankesë për secilën media në vend, qoftë televizive, qoftë online.
Pas marrjes së ankesës do të detyrojë këto media të bëjnë përgënjeshtrimin, edhe nëse lajmi është i vërtetë, mjafton që Këshilli i Ankesave ta vlerësojë që është gënjeshtër. Më pas i gjobit me vlerësimin e një jurie të dyshimtë politike, më pas edhe mund t’i bllokojë me një prodedurë që ekzekutohet përpara se të shkojë në Gjykatë.
“Pse duhet të presë i prekuri nga shpifja vendimin e Gjykatës”, tha Rama. Kjo fjali e mbushur me shpifje, tenton të justifikojë censurën.
E para, në Ligjin për Shtypin, të abroguar në 2005 nga Berisha, parashikohej qartë e drejta e përgënjshtrimit. Këtë të drejtë nuk e jep asnjë autoritet administrativ, por vetëm ligji.
Nëse gazeta- media në këtë rast, nuk e bënte përgënjeshtrimin, i prekuri shkon në Gjykatë dhe e fiton çështjen. Rea Xhillari fitoi një çështje në Gjykatë, që në kushtet e ligjit për shtypin do ta kishte mbyllur me një përgënjshtrim brenda 24 orëve.
Nuk ka pse të ketë një autoritet për përgënjeshtrimin deri në vendimin e Gjykatës, aq më tepër autoritet për të vënë gjoba dhe për të bllokuar linqet apo portalin, aq më tepër një autoritet të varur nga qeveria. Po, AMA e zëvendëson përkohësisht gjykatën, duke shkaktuar një dëm deri në mbylljen e mediave, jo vetëm portaleve, por edhe TV dhe Radio.
3.A do të regjistrohen portalet?
“Verifikimi dhe pronësia është për të gjithë që të dish me kë ke të bësh. Me prita, me ferra që s’di nga të shkosh, ndërkohë që ajo që thuhet për ty, multiplikohet gjithandej, dhe ti je para një plutoni pushkatimi. Si mund të bashkëjetohet me këtë? Në emër kujt lirie dhe kujt të drejte?”, vazhdoi Rama.
E vërteta është që regjistrimi i portaleve me këtë ligj nuk është i detyruar. Ligji e ka lënë në dorë të operatorëve regjistrimin, ofron vetëm favore fiskale për ata që regjistrohen. Kjo gënjeshtër e Kryeministrit bëhet për të mbuluar të vërtetën, që ligji u drejtohet portaleve serioze, të regjistruara, me pronarë të njohur dhe me autorë shkrimesh që të identifikuar.
Ata që nuk janë regjistruar, nuk do ta bëjnë përsëri dhe nuk do të ndëshkohen.
- BE, Kie dhe OSBE janë 100 për qind dakord
Kryeministri e theksoi disa herë që Bashkimi Europian, Këshilli I Europës dhe Organizata për Sigurinë dhe Bashkepunimin Europian janë 100 për qind dakord (jo 99) me projekligjin.
E vërteta është që nuk ka asnjë deklaratë të asnjërit prej institucioneve në mbështetje të draftit, përkundrazi. Delegacioni i BE në Tiranë është shprehur disa herë kundër paketës, Këshilli i Europës, që ka si objekt posaçërisht të drejtat e njeriut dhe nën varësi Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut ka qenë katëgorikisht kundër, ashpërsisht madje nëse i referohemi deklaratës së djeshme të Komisioneres për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç.
Vetëm Harlem Desir, përfaqësuesi i OSBE për të drejtat e njeriut, doli pro draftit të Taulant Ballës me një cicërimë të ngjirur në orët e vona të mbrëmjes së të martës. Ishte një draft që çuditërisht e kishte vetëm Edi, Taulanti dhe Harlemi.
Asnjë tjetër nuk ishte në dijeni. Drafti i publikuar fillimisht nga Kryeministri në Twitter, ishte të paktën i pavërtetë. Nuk mund të quhej draft, përderisa nuk kishte dalë nga zyrat e njërit prej komisioneve të Kuvendit. Drafti përfundimtar në fakt, ishte ai i së hënës në mbrëmje, pas mbledhjes së Komisionit të edukimit dhe mediave. Nëse ai i publikuar nga Rama dhe mbështetur nga Desir (që çuditërisht e dinte më mirë se deputetët shqiptarë) quhet draft, atëherë është totalisht në shkelje të ligjit.
Ai ishte një variant që nuk përputhet me asnjë procedurë ligjore dhe nuk mund të futet në Kuvend si draft, por mund të propozohet në seancë në formën e amendamenteve nga Balla. E gjithë fjala e Ramës ishte një mashtrim, por për këtë nuk ia vlen t’i drejtohesh AMA-s. Mashtrimet e Edi Ramës që kur premtoi drejtësi për 21 janarin e deri sot janë shumë më të rënda se ky i sotmi. Ai do ta miratojë ligjin e çensurës, do tentojë t’u mbyllë gojën shqiptarëve, por nuk mund t’i shpëtojë të vertetës që bredh rrugëve të varfra të vendit, pavarësisht mediave, pavarësisht propagandës së tij.