Adil Xhelili kandidati i BF-së për bashkinë Libohovë garon përballë kushëririt të parë Leonard Hide nga PS. Në një intervistë për Fax News, Adil Xhelili shprehet për abuzimet që ndodhin në këtë fushatë elektorale si investimet në infrastrukturën rrugore në zonat rurale të cilave nuk u dihet burimi i financës, presionin në administratë apo edhe drejtorët si ai i OSHEE-së të cilët marrin pjesë në fushatën elektorale.
Një ndër pikat e programit të kandidatit të BF-së ka qenë shërbimi komunal falas, lidhur me këtë Xhelili është shprehur se do të ketë bashkëpunim me banorët dhe do u gjendet individëve të cilët nuk kanë mundësi financiare. Së fundmi ai i bën thirrje organeve ligjzbatuese si prokuroria të nisin hetimet për investimet abuzuese që po kryhen në kohë fushate.
Adil Xhelili: Në radhë të parë, situata në Libohovë është mjaft e mirë në favor të kandidaturës sime, në gjithë zonën mbarë. Njerëzit mezi po presin për të bërë ndryshimin në 14 Maj. Në një qeverisje gati 8-vjeçare, kjo bashki nuk ka pasur asnjëherë vëmendjen e duhur për t’i dhënë mundësi banorëve të përmirësojnë jetesën e tyre.
Për sa i përket përballjes për mua nuk ka asnjë lloj rëndësie, sepse unë kam dalë nga votimet e Primareve dhe si i tillë kam një mbështetje masive të gjithë mbështetësve, ndërkohë që kandidatura tjetër ka dalë nga kulisat e politikës dhe është vetëm për të përçarë njerëzit. Për mua familja është e shenjtë dhe do bëj çdo gjë ta mbaj atë larg politikës dhe për të dhënë një mesazh, që morali duhet të fitojë ndaj imoralit politik.
Unë kam parashtruar gjatë këtyre ditëve, të gjitha e programit tim për sa i përket qeverisjes në Libohovë. Kryesisht te shërbimet publike, që tashmë janë në nivel të ulët, kemi menduar të bëjmë një revolucion në ofrimin e tyre ndaj qytetarëve. Kemi parashtruar pika për biznesin, bujqësinë, trashëgiminë, të cilat duhen parë me kujdes për të sjellë fitime banorëve të zonës.
Ne kërkojmë të bashkëpunojmë dhe të ndihmojmë ato familje që kanë nevojë të madhe, madje t’i ndihmojmë dhe në raste fatkeqësish, pasi nuk mund të paguash për shpirtin.
E gjithë makineria shtetërore është mbledhur në Libohovë, që nga ministrja Kumbaro që ka marrë në dorë flamurin e fushatës, duke vazhduar me drejtorin e OSHEE-së që kontrollon ditën dhe natën, duke mbajtur në kontroll të gjithë administratën. Këta janë në shërbim të komunitetit, njerëz të mirë, nuk kanë nevojë të jenë nën presion, ne do jemi bashkë me ta.
Sa i përket fushatës, ditët e fundit është bërë një bum investimesh, që nga ndriçimi, asfalt elektoral, beton që kërkojnë të gënjejnë banorët ndërkohë që për 8 vite nuk bënë asgjë. I bëj thirrje organeve ligjzbatuese të hetojnë këto investime.