Një përshpirtje për rreth 500 viktimat e Kampit të Tepelenës është bërë gjatë një lutjeje të përbashkët nga të gjitha besimet fetare në Shqipëri.
Kjo ka qenë tema e takimit të përfaqësuesve të shoqërisë civile, ish-të internuarve dhe komuniteteve fetare në vend, të cilët para flamurit shqiptar u lutën për ta duke i quajtur të internuarit heronj. Kjo, sepse sipas tyre ata humbën jetën në kampin famëkeq të Tepelenës, nga një genocid që vrau pa u kursyer përmes torturave të frikshme fëmijë, gra e pleq.
Nga viti 1949 deri në vitin 1954 u shënuan në këtë kamp rreth 500 viktima prej të cilave 200 foshnje, nga 3200 familje të internuara.
Të pranishmit u shprehën se vendi, gurët dhe gërmadhat e kampit famëkeq janë dëshmitarë të dramës së rëndë njerëzore ku njeriu vriste njeriun pa patur asnjë faj, raporton nga Tepelena gazetarja e Fax News Ervina Shehaj.
Sipas tyre, “ata vuajtën për drejtësinë e për këtë ne nuk duhet t’i quajmë viktima, por heronj, dhe ish-kampi Tepelenës duhet të kthehet në një vend pelegrinazhi ku të kujtohet vazhdimisht e gjithë sakrifica dhe vuajtjet e atyre që patën fatin ti jetojnë”.
Sipas përfaqësuesve të besimeve fetare, kujtesa na shërben për të mos harruar gabimet dhe krimet e sistemit komunist, por as të mos i përgojojmë të vdekurit sepse kjo lëndon të gjallët.
Në ceremoninë e organizuar mori pjesë edhe aktorja e njohur Ema Andrea, e cila tha se “ky ceremonial është nga më të rrëndësishmit për të vënë një gurë për kujtesën”.
Një nga organizatorët e kësaj ceremonie, Erald Kapri tha se “kjo bëhet për të kujtuar sidomos 200 foshjat që kanë humbur jetën në këtë kamp. Mbahet për herë të parë në këtë format dhe marrin pjesë përfaqësuesit e 5 besimeve fetare në vend. Ky është një rast I mirë që të rinjtë të mësojnë dhe kuptojnë përmes kësaj ceremonie”.
Ndërsa organizatori tjetër Gjon Radovani, u shpreh se “ me këtë memorial duam të hapim një diskutim të madh kombëtar për të punuar në mënyrë shteruese për zbardhjen e asaj që ka ndodhur”.
Në këtë përshpirtje morën pjesë edhe familjarë të viktimave dhe ish të dënuar. Sipas Rudina Demës, njëra prej të dënuarave, historia e së cilës ishte mjaft e dhimbshme pasi ajo në fakt kishte lindur e dënuar sepse e ëma e kishte sjellë në jetë pikërisht në atë kamp famëkeq, shprehet se “ky format përkujtimor, na ka hapur plagët por shërben për mirë sepse kuptojmë ç’ka ndodhur”.
Në shkurt të vitit 1955, kampi i Tepelenës ka zënë vend në një raport të qeverisë amerikane të kohës e cila e paraqiti në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në këtë raport trajtoheshin të gjitha internimet, persekutimet, vrasjet, vuajtjet dhe jeta mizerabël që bënin në dhomat e errëta, të lagështa dhe të ftohta të dënuarit.
Mesazhi dhe lutja shkoi për të gjithë ata emri i të cilëve u shënua në një memorial, ndërsa aty pranë lartojnë qiparisët e sapo mbjellë. Mesazhi i përgjithshëm dhe për të gjithë të cilin mundohet të japë ky tubim është: “Të mos harrojmë”.