Pavarësisht se ishte thirrur në konferencë për të folur në lidhje me identifikimin e vrasësit të dyshuar të komisarit Artan Cuku, drejtori i Policisë Haki Çako nuk i ka shpëtuar as një pyetje në lidhje me akuzat e LSI-së për përfshirje me drogën.
Nga foltorja e LSI-së Luan Rama e sulmonte drejpërdrejtë Haki Çakon si të përfshirë në kartelin e drogës.
“E ftoj zv.kryeministrin në cilësinë e njësisë së Task-Forcës të analizojë rolin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që nuk mund të fshihet nën petkun politik. Karteli i drogës vazhdon të ketë në dorë Drejtorin e Policisë së Shtetit dhe po vazhdon ta përdorë”, deklaronte para dy ditësh nënkryetaru i LSI-së, Luan Rama.
Por sot gjatë konferencës për shtyp, kreu i Policisë, Haki Çako i konsideroi këto deklarata në kushtet e etheve elektorale.
“Policia është e angazhuar në zbatimin rigoroz të ligjit, në përputhje të plotë me kushtetutën. Mirëkuptoj çdo subjekt të caktuar politik që në emocionet e veta dhe kushtet e etheve dhe temperaturave të fushatës elektorale ka shprehjet dhe të drejtat e veta”, tha Çako. (E.K/SHUPLAKA)
Discussion about this post