Sandër Lleshi është personi i propozuar nga kryeministri Edi Ram për të zënë vendin e ish-ministrit Fatmir Xhafaj, pas dorëheqjes së këtij të fundit.
Teksa foli rreth detyrës që pritet të marrë pas dekretimit nga Presidenti Meta, si u shpreh se kryeministri Rama i ka dhënë një letër me 10 pika dhe autoritet të plotë për të zhvilluar detyrën. Sipas tij, nëse do të dështojë në këtë detyrë, dështimi do të jetë i tiji personalisht.
“Rama më ka dhënë një letër me 10 pika dhe më ka dhënë autoritet të plotë për të zhvilluar këtë detyrë. Nuk jam këtu për t’i bërë publike ato. Por di të them që nëse do të dështoj do të jetë përgjegjësi e imja.”, – tha Lleshi.
Më tej ai u shpreh se nuk do të jetë një ministër që do të dalë shesh në medie.
“Do t’i qëndroj mendimit që të mos të dukem, por të punoj. Kohën e ardhshme do e heq nga leksiku im. Do të flas për të shkuarën, pra për atë që është bërë, e jo atë që do të bëhet. Do të flas me vepra dhe në media do të dal rrallë vetëm kur të ketë arsye për të dalë.
Sigurinë nuk mund t’ia lëmë vetëm policisë, por atë duhet ta bëjmë bashkë.
Policia duhet të luftojë kundër shkelësve, të cilët janë në pakicë, por shumica duhet të jetë me policinë”, – u shpreh në emisionin “Opinion” Ministri i propozuar, Sandër Lleshi.
Më tej ai u shpreh se për punën e tij do të flasë vetë policia, e cila do të jetë fytyra e Ministrisë.
“Nëse i shihni policët me krimin, dini që jam unë me krimin, nëse i shihni policët të dehur, dijeni se jam unë i dehur, nëse i shihni policët të pasjellshëm, dijeni se jam unë i tillë. Policia do të jetë shfaqja jonë, nuk kam pse të dal unë në publik e medie”, – theksoi Lleshi.
(B.B/ Faxweb.al)
Discussion about this post