Në një kohë kur deputetëve socialistë iu ka kërkuar që të bëjnë refren shprehjen se kush prish zgjedhjet do t’i ndalohet hyrja në BE dhe SHBA, kryeministri Edi Rama i pyetur nga gazetarët ka preferuar që të mos japë një përgjigje për këtë.
I pyetur nga gazetarët në konferencën që pati me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Migrimin dhe Çështjet e Brendshme Dimitris Avramopoulos, Rama u shpreh se ai nuk do të përgjigjej për pyetje që nuk kishin të bënin me konferencën.
“Siç e dëgjuat edhe zonjën që moderon këtu (konferencën) jemi për t’ju përgjigjur pyetjeve me këtë temë (Frontex). Përsa i përket temave të tjera, kush do ta kërkojë atë përgijgje do ta marrë atë kur ta meritojë”, – u përgjigj kryeministri.
Ndërkohë që pak më herët, edhe pse nuk kishte të bënte me kontrollin e kufijve, Rama dhe Avramopoulos folën dhe për mundësinë e rikthimit të vizave për shqiptarët, ku Komisioneri u shpreh se deri tani asnjë shtet nuk ka bërë kërkesë në KE.
Duket se Rama rolin e ambasadorit do e marrë vetëm në mbledhjet me dyer të mbyllura të socialistëve, ndërsa publikisht ai do të vijojë të jetë kryeministri i shqiptarëve.