Normat e interesit të depozitave me afat në lekë pësuan rënie për të katërtin muaj radhazi në shtator. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për depozitat e reja zbriti në 1.87%, nga 1.94% që kishte qenë në muajin gusht. Interesi mesatar i depozitave me afat zbriti në nivelin më të ulët që nga muaji janar i këtij viti.
Interesat e depozitave po ndjekin lëvizjet e normës bazë të interesit dhe lëvizjet e treguesve të tjerë përcaktues të tregut financiar, sidomos të yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë.
Rënia e shpejtë e inflacionit gjatë vitit 2024 i ndryshoi ndjeshëm skenarët e politikës monetare dhe normave të interesit në tregje. Inflacioni ka zbritur në 1.9%, niveli më i ulët në tre vitet e fundit. Në përgjigje të rënies së inflacionit, Banka e Shqipërisë reagoi duke e ulur dy herë normën bazë të interesit, në korrik dhe nëntor. Tashmë, norma bazë ka zbritur në 2.75%.
Këto lëvizje janë përcjellë shpejt në normat e interesit të tregut të brendshëm financiar. Yield-et e bonove dhe obligacioneve kanë rënë për të gjitha maturitetet. Në veçanti, bonot 12-mujore të thesarit, që janë edhe instrumenti kryesor benchmark për tregun e brendshëm, kanë shënuar yield-in më të ulët që prej korrikut 2022, në nivelin 2.84%.
Ulja e normës bazë dhe yield-eve është reflektuar edhe në norma të ulëta të interesit të kredive. Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë ka arritur nivelet më të ulëta që prej fillimit të vitit 2022, para se të fillonte cikli i rritjes së normave të interesit. Këto zhvillime kanë ushtruar presione rënëse mbi normat e interesit të depozitave në monedhën vendase.
Ndërkohë, edhe interesat e depozitave në euro duket se e kanë frenuar rritjen dhe ngelen në nivele më të ulëta krahasuar me depozitat në lekë. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në euro gjatë muajit shtator qëndroi në 1.23%, i njëjti nivel me muajin gusht.
Këtë vit edhe Banka Qendrore Europiane ka nisur uljen e normave të interesit, duke ndjekur rënien e inflacionit dhe stanjacionin e ekonomisë së Eurozonës. Kjo ulje është reflektuar shpejt në ecurinë e Euriborit dhe normave të tjera të interesit në tregjet europiane. Kjo do të sjellë gradualisht një rënie të normës së kthimit nga asetet në valutë për bankat tregtare dhe paralelisht edhe uljen e interesave që ato paguajnë për depozitat e klientëve./Monitor