Presidenti i SHBA-së në largim, Donald Trump, ka falur ish-këshilltarin e tij Steve Bannon, i cili po përballet me akuza për mashtrim. Sipas BBC, njoftimi erdhi vetëm disa orë para inaugurimit të presidentit të zgjedhur Joe Biden, i cili do të jetë dhe presidenti i 46 në historinë e SHBA-së.
Po sipas BBC, Trump gjithashtu fali më shumë se 140 persona të tjerë në orët e tij të fundit në detyrë. Në përgjithësi, 73 individë morën faljet dhe 70 të tjerëve iu ndryshuan dënimet, tha një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë.
Bannon, i cili ishte një strateg dhe këshilltar kryesor i presidentit Trump gjatë fushatës së tij 2016, u akuzua në gusht të vitit të kaluar për mashtrim rreth një fushate mbledhje fondesh për të ndërtuar një mur në kufirin SHBA-Meksikë.
Prokurorët thanë se Bannon dhe tre të tjerë mashtruan qindra mijëra donatorë në lidhje me fushatën “Ne Ndërtojmë Murin” e cila mblodhi 25 milionë dollarë.