Policia e Durrësit ka vijuar edhe këtë të enjte kontrollet në vijën bregdetare, në vijim të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.
Sipas njoftimit të saj, sot janë liruar 3 hapësira në plazhin e Kallmit, që ishin zënë në mënyrë të paligjshme nga tre shtetas, ndërsa janë sekuestruar 70 komplete me çadra dhe shezlongë.
Policia ka referuar materialet në Prokurori për këta tre persona, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. H., 61 vjeç; E. S., 36 vjeç; dhe F. H., 64 vjeçe, të tre banues në Durrës.
Njoftimi i policisë
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.
Gjatë kontrolleve, në lagjen nr. 15, në tri hapësira publike në plazhin e Kallmit, u hoqën dhe u sekuestruan 70 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme, nga 3 shtetas.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. H., 61 vjeç, E. S., 36 vjeç dhe F. H., 64 vjeçe, të tre banues në Durrës.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror”, thuhet në njoftim.