Kryeministri Edi Rama ka kaluar ditë të ngarkuara me shkarkime e zëvendësime. Sigurisht që çështja më delikate ka qenë ajo e shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe zëvendësimi i tij me Fatmir Xhafajn.
Por sot, nga partia në bashkëqeverisje ka patur edhe një sinjal qetësimi për Ramën.
Në medie është shpërndarë një SMS konfidenciale e ministrit të Drejtësisë Petrit Vasili për ministrat dhe deputetet e LSI-së që duhet të heqin dorë nga deklaratat ”Meta Kryeministër, Meta President”. Së fundi ministrja e Integrimit Klajda Gjosha dhe ministri i Bujqësisë Edmond Panariti kanë bërë kërkesa të tilla publike.
“Mesazhet tuaja duhet të përqëndrohen në:-Dialog për reformën zgjedhore për të mundësuar zgjedhje me standard dhe të pakontestuara si dhe zbatim me këmbëngulje të reformës në drejtësi. -Një shans për të gjithë”, shkruhet në mesazhin bërë publik.
Ministri Vasili u pyet nga ”Shuplaka” nëse kjo SMS është e vërtetë dhe nëse është dërguar nga ai vetë në adresë të ministrave dhe deputetëve të LSI-së. Vasili konfirmoi vërtetësinë e tij por sigurisht që nuk bëri asnjë koment më shumë se ky.
”Po, e kam dërguar”, tha Vasili. Ta ketë kënaqur LSI-në shkarkimi i Saimir Tahirit?! (V.G/SHUPLAKA)