Shqiptari me emrin Agim Cerma, i njohur me pseudonimin “Jimmy” u kap dy ditë më parë në Kolumbi së bashku me katër bashkëpunëtorë të tij duke trafikuar kokainë drejt SHBA-së dhe Europës. Gazetari Artan Hoxha u shpreh se kundër Cermës në Shqipëri nuk ka asnjë dosje të hapur, ndërsa theksoi se nuk është ai bosi i grupit, sikur shkruajnë mediat kolumbiane, por thjeshtë një përfaqësues i organizatës kriminale.
“Agim Cerma po e trafikonte me avion. Të thuash në Kolumbi se është bos një nga Lushnja, që ne njohim shumë njerëz, kur është karteli “Cali”, “Medelini”, etj. Ai ka një të shkuar, jam i interesuar të shoh si do të vazhdojnë hetimet në Shqipëri. Ai nuk është bosi i grupit, pasi nuk shkon bosi në operacione të trafikut, nuk shkon vetë, pasi kapet dhe po u kap shpërbëhet organizata. Asnjë trafikant nuk është kapur duke ngarkuar apo shkarkuar.
Është përfaqësues i një organizate të madhe kriminale, ka mbyllur llogaritë, pagesat, si do të kalojë. Për Cermën nuk ka hetim në Shqipëri. Akuza që ka Agim Cerma është përfshirë në rrjet të trafikut që çon kokainë nga Kolumbia në Meksikë në SHBA. Nuk del qartësisht si është i lidhur me pjesën tjetër në Europë, pasi avionët charter e shkarkojnë kokainën brenda kontinentit. Sasia që ishte kapur në kokainë, por edhe pesos, pasi ishte bërë konvertimi.
Në Shqipëri nuk kanë një dosje për aktivitetin e Agim Cermës, nuk është person në kërkim, as në procedim. Është shumë e vështirë për të goditur grupet në Shqipëri që shtrihen në 3 kontinente. Do të dalin të dhëna interesante më mbrapa, por ky nuk është bosi. Unë besoj se do të dalë emër tjetër shqiptar. Ai bashkëpunonte me “Clan del Golfo” dhe aeroporti që përdorin këta është ndërtuar nga karteli i “Calit”-it” tha ai në Abc.
Por si ka mundësi që shqiptarët janë futur kaq thellë duke shkuar deri në Kolumbi apo vende të tjera në Brazil dhe Ekuador për ta marrë vetë kokainën? Artan Hoxha ka një shpjegim.
“Ne sot kemi furnizim me kokainë nga Ekuadori, Brazili dhe Kolumbia. Ne shkojmë atje pasi e kemi guximin maksimal. Ne shkojmë në xhunglat e Kolumbisë dhe marrim përsipër një aktivitet të tillë që është në survejimin e DEA-s, Europol, etj.
Ne duam të jemi të rëndësishëm të shkojmë direkt te burimi. E kemi nisur si shpërndarës të thjeshtë në rrugë, mësuam si funksionon, kush e bën shumicën dhe shkuam vetë atje, prandaj kemi grupe dhe organizata kriminale që e kanë buxhetin më të madh se Ministria e Brendshme. Është një grup tjetër shqiptar që është goditur, që e merrte nga Amerika Latine dhe e çonte në Zvicër” u shpreh ai.