Aleksandër Peçi, ish-komandoja Elitë që mbeti i plagosur në vitin 2012 gjatë një misioni paqeruajtës në Afganistan ka vendosur që të braktisë detyrën dhe vendin, për shkak të presionit të vazhueshëm që i është bërë gjatë detyrës së tij.
Shkak për këtë është bërë një përplasje që ai ka pasur me ish-ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, të cilës i bëri një kërkesë jetike, paga e tyre të mos taksohej me 23% të pagës, gjatë kohës që ata ishin me misionin jashtë vendit, ku jo pak herë vënë në rrezik dhe jetën e tyre. Po pas kësaj ai është përballur me shumë pengesa, në shenjë hakmarrjeje për kundërshtitë ndaj ministres.
Në kushtet kur atij nuk i është dhënë asnjë shpërblim në vendin tonë, dhe i mohohej rritja në gradë, pavarësisht plagosjes, Peçi është detyruar që të largohet nga vendi në fillim të vitit 2016, duke lënë në Shqipëri familjen e tij dhe dy vajzat e mitura. Peçi u largua drejt SHBA-ve me ndihmën e një kolegu amerikan, i cili po ashtu kishte mbetur i plagosur bashkë me të në misionin në Afganistan.
Në një intervistë ekskluzive për Fax News, Peçi tregon rrethanat që e detyruan të braktiste detyrën dhe Shqipërinë. Ai tashmë ndodhet në SHBA, në pritje të një përgjigje për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura Amerikane, teksa shton se nuk u vlerësua kurrë në vendin e tij.
Ju u sulmuat në Afganistan bashkë me Fehti Voglin, çfarë ka ndodhur pas kësaj?
Kam kaluar për rreth një muaj në spital në gjendje kome, në vitin 2012 jam rikthyer sërish në punë pas rikuperimit, dhe jam rikthyer dhe me shërbim në Agranistan. Nuk kam pasur asnjë status të veçantë pas plagosjes.
Përfituat ndonjë dëmshpërbim pas plagosjes?
Jo asgjë nuk kam pasur. Në 2014-tën kam shkuar sërish në Afganistan dhe pagueshim 120 mijë lekë të vjetra në ditë, dhe nga kjo me qeverinë e re na taksohej rreth 30 mijë lekë nga 10% që e kishim më herët. Ne kërkuam që të na hiqej taksa, na u premtua se kjo do të ndodhte edhe nga vetë ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli. Vetëm 5 prej nesh mbuloheshin me sigurime, dhe kushtet ishin shumë të vështira.
Reagimi ndaj kësaj kërkese ka qenë shumë i ashpër, siç dukej edhe në videot që ju transmetuat. Mesa di tashmë është hequr taksa për kontigjentët e tjerë. Dy kolegët e tjerë që ishin së bashku me mua në këtë kërkesë i larguan nga reparti sapo u kthyem në Shqipëri, ndërsa mua nuk më largonin dot për shkak se isha plagosur. Kur kërkova gradë më thanë që nuk mund ta merrja dot. E pashë që ishin striktë dhe përfundimisht vendosa që të largohem.
Arsyetimi që iu dha për gradën ishte:
Se kishte njerëz që nuk e kishin mendjen te gradat, por te puna. Doja vetëm të ikja nga Shqipëria. Për 7 vjet kam punuar dhe te forcat speciale, në Amerikë erdha falë ndihmës së një kolegu që është këtu në SHBA, dhe u plagos bashkë me mua në Afganistan.
Unë nuk kam dezertuar, jam larguar fillimisht, kam bërë kërkesë që të largohem. Kërkoj një të ardhme më të mirë, për veten dhe për familjen time. Kam marrë më shumë vlerësime për misionet që kam kryer këtu sesa në shtetin tim.
Në Shqipëri nuk duan me ditë se çfarë ke bërë dhe se kush je, ndërsa këtu fakti që kam shërbyer në misione vlerësohet shumë. Po pres që një ditë të jem pjesë e Forcave të Armatosura në SHBA. Kam bërë dokumentat dhe kërkesë tani pres. Familja ime ndodhet në Shqipëri.
Ju keni dy vajza:
Njëra prej vajzave është katër vjeç dhe tjetra 2, i kam lënë në Shqipëri, pres të mbarojnë procedurat dhe t’i marr dhe ato këtu.
(E.K/FAXWEB.AL)