Profesori i njohur Jusuf Buxhovi ka folur për politikën në Kosovë dhe ardhjen e Albin Kurtit në krye të qeverisë. Ai tha se ardhja e Kurti në pushtet ka qenë një domosdoshmëri. Sipas profesorit, sot kryeministri Kurti është kthyer në mbrojtësin më të madh të shtetit të Kosovës.
“Ardhja e Albin Kurti në pushtet ka qenë e domosdoshme. Bashkim kombëtar siç premtoi ai është sëmundje ideologjike. Albin Kurti është kthyer në një Kosovo-centrist. Kurti është mbrojtësi më i madh sot i shtetit të Kosovës”, theksoi profesori.
Gjatë intervistës në emisionin “Pushteti” në Fax News, Buxhovi komentoi edhe nismën e shumëpërfolur në publik të “Open Balkan” dhe sidomos përplasjeve, që solli kjo mes Kosovës dhe Serbisë. Ai u shpreh se në formën se si u prezantua kjo nismë ishte e gabuar dhe se shqiptarët dhe as vendet e tjera të rajonit nuk përfitojnë asgjë, por në thelb ky projekt shton ai synon fuqizimin e mëtejshëm të Serbisë.
“”Open Balkan” në formën si u prezantua nuk është e dobishme as për shqiptarët dhe as për rajonin. Ai synon fuqizimin e Serbisë”, theksoi ai.
Mes tjerash, profesori tha se etiketimet e bëra ndaj kryeministrit Rama se po punon kundër interesave të Kosovës janë të tepruara, pasi sipas tij Shqipëria ka politikën e saj shtetërore dhe nuk i lejohet të përzihet në çështje të vogla.
Sipas profesorit, Kosova duhet të mendojë për interesat e veta dhe t’i kthehet asaj që ai e quan “patriotizmi kushtetues” dhe jo folkloreve ideologjike.
“Edi Rama nuk mund të jetë kundër shtetit të Kosovës dhe nuk ka se si ta manifestojë këtë, sepse Kosova është shtet i pavarur. Kosova më së pari duhet të mendojë mbi interesat e veta dhe duhet t’i kthehet kushtetutës dhe t’i kthehet patriotizmit kushtetutës”, shtoi profesori.
(Nijazi Mema/ Faxweb)