Për të tretën herë brenda ditës së sotme, kreu i qeverisë Edi Rama ka tentuar që të bisedojë me studentët përmes rrjeteve sociale.
Në postimin e tij të fundit Rama ka zgjedhur që të komentojë një prej memeve të studentëve ku shkruhej: Ne s’jemi Lulzim Basha që të bëjmë pazare.
Studentët i referohen marrëveshjes famëkeqe të 17 Majit, e cila futi opozitën në zgjedhje, edhe pse më pas marrëveshja Rama-Basha u cilësua mjaft e dëmshme për PD-në. Rama iu drejtohet studentëve që ai nuk iu kërkon as negociata dhe as pazare, por vetëm dialog.
“S’jeni Luli? Po atëherë pse bëni ekzaktësisht si Luli që futet në çadër e bërtet, s’dua dialog, plotëso kërkesat se s’dal nga çadra!? I kën nga Kuvendi e bën të njëjtën gjë, plotësoji se s’vij! E pastaj në fund vetëm humbet! Kush ju kërkon pazare? Unë jo njëherë , As negociata, DIALOG”, shkruan Rama në postimin e tij të fundit në Twitter.
Dy prej studentëve të shprehur në studion e Fax News janë shprehur të vendosur se nuk do të ketë dialog me Edi Ramën. Ata thanë se nesër pas mesdite do të ketë një vendim të dytë lidhur me vijimin e protestës, që me shumë gjasa do të jetë spontan.
(E.K/FAXWEB.AL)