Lulzim Basha kryetari i Partisë Demokratike ishte i pranishëm në një takim në Parlamentin Britanik ditën e sotme, ku është takuar me Kryetarin e Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Britanik, Tom Tugendhat.
Në takim u diskutua për gjendjen aktuale politike në Shqipëri , si dhe për krizën ku ndodhet vendi.
Lideri i opozitës konfirmoi angazhimin e Partisë Demokratike dhe të gjithë opozitës së bashkuar për një zgjidhje politike të krizës, që do të garantojë zgjedhje te lira dhe të ndershme, duke ndarë politikën nga krimi, duke i zgjidhur duart drejtësisë që të vërë para ligjit politikanët e përfshirë në shitblerje votash me krimin e organizuar si dhe afera të tmerrshme korruptive.
Reformë e thellë politike për fuqizimin e rolit të qytetarit sipas praktikave më të mira të vendeve demokratike perëndimore është angazhimi ynë,- theksoi zoti Basha.
Lideri i opozitës theksoi rolin e rëndësishëm të Britanisë së Madhe, në bashkëpunim me partnerët e tjerë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Gjithashtu, Basha falenderoi Tugenthat për qëndrimin e qartë dhe të prerë të Britanisë së Madhe dhe Parlamentit Britanik kundër ndryshimit të kufijve dhe copëtimit të Kosovës, çka do të ishte nje precedent i rrezikshëm kundër paqes dhe stabilitetit në Ballkan.