Më shumë se 3 vite më parë, shefi ekzekutiv i Facebook, Mark Zukerberg, e hodhi poshtë si “të çmendur”, idenë se lajmi i rremë në platformën e tij, mund të kishte ndikuar në zgjedhjen e Donald Trumpit si president i SHBA-së.
Sot, kompania e tij e pranon se është “nën rrethim” nga miliarda llogari të rreme, që përpiqen ta shfrytëzojnë platformën për të fituar zgjedhje, para, ose për të ndikuar tek njerëzit në mënyra të tjera, dhe për të ngritur një “cunam” të lajmeve të rreme, dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes.
Mposhtja e tyre, është bërë çështje ekzistenciale për korporatat e mëdha, dhe Facebook dëshiron që përdoruesit dhe rregullatorët ta dinë se i ka shtuar përpjekjet në këtë drejtim. Kompania dëshiron gjithashtu që ata të besojnë, se prirja po ndryshon. Këtë muaj, më shumë se një duzinë gazetarësh vëzhguan “sallën e luftës” në Dublin, aty ku po bëheshin përpjekjet e FB për të mbrojtur zgjedhjet evropiane.
Deri në zgjedhjet e 23 majit dhe për disa ditë pas tyre, rreth 40 njerëz kanë qëndruar vazhdimisht përballë ekraneve, duke monitoruar ritmin e ndryshimit të bisedave në internet, duke kërkuar për sinjale të manipulimeve, lajmeve të rreme ose gjuhës së urrejtjes.
Ata mbështeten nga një rrjet global, që përfshin ekspertë të inteligjencës, shkencëtarë të të dhënave, hulumtues dhe inxhinierë. Pjesë e këtij ekipi, janë dhe folësit amëtarë të 24 gjuhëve zyrtareve të BE-së, thotë Leksi Stardi, që ka ardhur enkas nga SHBA, për të drejtuar operacionin e mbrojtjes së zgjedhjeve evropiane, pas menaxhimit të një operacioni të ngjashëm në zgjedhjet amerikane të mesit të mandatit, vjeshtën e vitit të shkuar.
Shkalla e sfidës, me të cilën po përballet Facebook, teksa është duke u përpjekur të neutralizojë “aktorët e këqinj” nga sistemi, është tronditëse. Riçard Allan, zëvendëspresidenti i kompanisë për politikën publike, tha se kompania fshiu 2.8 miliardë llogari false midis tetorit 2017 dhe nëntorit 2018.
Përveç atyre llogarive të rreme, ka llogari të vërteta që shpërndajnë lajme të rreme, me synim përhapjen e dezinformacioneve, ose lajmeve që nxisin gjuhën e urrejtjes. Kompania ka filluar ndërkohë verifikimin e njerëzve që duan të publikojnë reklama politike, dhe angazhohen të mbajë për 7 vite një arkivë të reklamave online të fushatave zgjedhore.
Por, pavarësisht nga burimet e shpenzuara në përpjekjet për të manipuluar votuesit përmes platformës, nga reklamat e rreme tek përhapja e gjuhës së urrejtjes, Facebook vazhdon të luftojë për të dëbuar njerëzit dhe rrjetet që ai i quan aktorë të këqinj.
Gazetarët dhe aktivistët, zbuluan muajin e fundit se vetëm rrjetet e ekstremit të djathtë në Spanjë, që patën qasje tek afro 1.7 milionë njerëz, zbuluan reklama të publikuara nga fushata Trump në SHBA, që shkelën rregullat e vetë Facebook, si dhe zbuluan një fushatë reklamash që mbështet një Brexit të ashpër, të gjitha të koordinuara nga një operativ politik veteran.
Asgjë nga këto, nuk u vunë re nga mjetet e vetë Facebook. Nataniel Gleissher, kreu i politikës kibernetike në FB, tha se mjetet e survejimit janë duke u përmirësuar vazhdimisht, por ai pranoi se kompania nuk ka ende kapacitetin e duhur për të mbrojtur plotësisht zgjedhjet.
“Në një situatë të tillë, asnjë organizatë e vetme nuk mund ta adresojë e vetme këtë dukuri”- tha ai duke iu referuar ndërhyrjeve dhe lajmeve të rreme. Për të forcuar përpjekjet e kompanisë në këtë drejtim, do të nevojitet gazetaria dhe aktivizmi”, shtoi ai.
“Natyrisht, unë do të doja të isha në gjendje t`a realizoj vetë çdo operacion. Por, realiteti i sigurisë, është se duhen sa më shumë njerëz që të jetë e mundur që të fokusohen tek ky problem”– theksoi ai. Facebook, synon të përdorë inteligjencën artificiale, për ta bërë më të vështirë vënien në lojë të sistemit, si dhe për të përshpejtuar përpjekjet për të dëbuar nga platforma ata që shkelin rregullat.
Qëllimi është “t’i detyrojmë aktorët e këqinj, të shpenzojnë kohën në përpjekje për të mposhtur filtrin, në vend se të përpiqen të dërgojnë mesazhet e tyre”. Facebook nuk pranoi të jepte ndonjë shembull, se ku kishte ndërhyrë për t’i penguar njerëzit që synojnë të ndëhyjnë në zgjedhjet evropiane.
Por, Stardi tha se sukseset e mëparshme, përfshinin identifikimin e rrjeteve me fjalime të urrejtjes në Brazil, pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar; që u fshi brenda 1 ore. Në zgjedhjet amerikane të mesit të mandatit, sistemet e automatizuara të Facebook, identifikuan 90 % të përpjekjeve për ndikimin e votuesve, që u zhvendos, me vetëm 10 % të përdoruesve që kishin reaguar ndaj saj.
Por, për dështimet e këtyre sistemeve të automatizuara – s’ka asnjë mënyrë për të ditur, nëse mund të vënë në rrezik zgjedhjet në vende më të vogla ose më të varfra. Në vendet ku mediat dhe aktivistët janë nën presion, Facebook nuk e ka bërë të qartë se kush mund të ofrojë kontrolle shtesë, për të gjurmuar aktorët e këqinj në vende të tjera.
Një boshllëk kontrolli në Evropë, u përmend nga gazetari hungarez Marton Gergeli, kur pyeti drejtuesit: “Pse nuk keni kontrollues të fakteve në Hungari?”. Faqet kryesore të lajmeve, duke përfshirë njërën që është aleate me qeverinë, janë kritikuar për botimin e lajmeve të rreme, por Allan tha se Facebook nuk kishte gjetur një partner të besueshëm.
“Nuk është se ne nuk duam të kemi kontrollorë të fakteve në çdo vend të caktuar”- tha ai, duke kërkuar sugjerime. Kjo mbron reputacionin e Facebook për të qenë i ekuilibruar, por potencialisht, i lë votuesit në Hungari veçanërisht të rrezikuar ndaj lajmit të rremë.
Përtej zgjedhjeve evropiane, Allan premtoi se do të ketë një mbrojtje për të gjithë proceset zgjedhore anembanë botës, por nuk pranoi të jepte shumë garanci. “Do të ketë masa të ndryshme, të zbatuara për vende të ndryshme, në varësi të profilit të kërcënimit”- tha ai, duke ngritur perspektivën alarmante, për një sistem të paqëndrueshme të niveleve të ruajtjes. “Sa më shumë që të kemi mundësi, ne do të synojmë të mbrojmë të gjitha zgjedhjet në mbarë botën”-përfundoi ai. /“The Guardian”- Bota.al/