Në një intervistë për “Faxnews” Nebil Çika, kreu i Shoqatës Antikomuniste e ish te Përndjekurve ka folur lidhur me kërkesën e dërguar në mënyrë të vazhdueshme nga Ministria Drejtësisë për të liruar zyrën e tyre pranë Kryesisë së Kuvendit. Çika u shpreh se kjo gjë është një vendim politik dhe se zyra e Shoqatës Antikomuniste e ish te Përndjekurve politikë është vendosur në formë simbolike që prej vitit 1995. Ai tha se kjo kërkesë u vjen sa herë ka protesta, kriza apo edhe qëndrime politike nga ana e shoqatës.
Çika theksoi se për rreth 2 vjet Ministria e Drejtësisë insiston me ngut që të lirohen zyrat tek Kryesia e Kuvendit që janë aty nga viti 95’. Ai shton se këto zyra u zgjodhën në godinën e ish-komitetit qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë me vendim të këshillit të ministrave të asaj kohe në formë simbolike.
“Ka rreth 2 vjet që çdo 2-3 muaj me periudha të ndryshme ne na vjen nga Ministria e Drejtësisë që duhet të lirojmë selinë tonë, e cila ka nga viti 1995 në godinën e ish-komitetit qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë me vendim të këshillit të ministrave të asaj kohe. Është vendosur këtu për shkak të simbolikës, pasi këtu u përgatit i gjithë gjenocidi, krimet kundër njerëzimit, e gjithë diktatura këtu u hartua dhe u zbatua. Jo vetë, për të përndjekurit politik antikomunist të Shqipërisë, por edhe për të gjithë popullin edhe kombin shqiptar. Qeveria e aso kohe me kërkesën e shoqatës së të përndjekurve politikë, të vendosej në mënyrë simbolike aty ku nisi dhe u farkëtuar lufta e klasave, krimet kundër njerëzimit që janë aplikuar në mënyrë të veçantë ndaj të përndjekurve anti-komunistë gjatë diktaturës”,- u shpreh kreu i Shoqatës Antikomuniste e ish te Përndjekurve.
Ai e cilëson një vendim politik kërkesën e dërguar nga ministria e Drejtësisë dhe se në këtë godinë qëndron ende ish-ministri i brendshëm i diktaturës, Gramoz Ruçi, i cili është kryetari i Parlamentit.
“Vendimi është politika për arsye se për shkak të qëndrimit tonë politikë ndaj përpjekjeve të kësaj qeverie për restaurimin e diktaturës në Shqipëri. Shoqata antikomuniste e të përndjekurve politikë është e vetmja organizatë politike-shoqërore që ka mbajtur të gjallë frymën antikomuniste në Shqipëri. Kjo letër vjen sa herë ka acarime politike në Shqipëri, ka protesta, përplasje ka akte të qeverisë kundër popullit dhe të përndjekurve politikë, pas të cilëve ne kemi reaguar. Pas çdo reagimi tonë na vjen një kërcënim nga qeveria që e cilësojmë një vazhdimësi, politike juridike dhe gjenetike e atyre që na kanë persekutuar ne.
Militantët e tyre gjatë protestave kanë ardhur e kanë hequr tabelën e Shoqatës antikomuniste, kjo qeveri ka qenë shumë armiqësore me të gjithë të përndjekurit komunistë jo vetëm në ideologjinë tonë por edhe në interesat e drejtpërdrejta të personave të përndjekur politikë. Në këtë godinë me ne është ministri i fundit i brendshëm i diktaturës komuniste Gramos Ruçi, i cili është kryetari i parlamentit pra numri 2 i shtetit Shqiptar”, u shpreh Çika.
(E.G/Faxweb.al)