Tahir Muhedini, president Nderi i PDIU-së i ftuar në Fax News foli lidhur me negociatat me Greqinë si dhe për protestën që do të mbahet të shtunën për çështjen çame pasi Greqia kërkon të censurojë librat e historisë duke hequr emrin e Çamërisë nga tekstet shkollore.
Muhedini theksoi se PDIU nuk ka pasur informacion mbi diskutimet e negociatave të kryera nga pala greke dhe ajo shqiptare.
“Ne si PDIU e kemi marrë vesh se çfarë thotë ministri i jashtëm grek në media. Nga shteti jonë është gjithashka e mbyllur. Ne nuk duam të flasim politikisht, por jemi t’i shërbejmë të mirës, të mirës reale dhe jo ireale. Ka pasur thjesht pltotësim të dëshirave të shtetit grek. Pse duhet të jemi inferior ne? Njëri nga ne duhet të thirret të jetë pjesë e komisionit për negociatat.”
Për sa i përket vendimit të presidentit Meta, i cili refuzoi dhënien e plotfuqishmërisë, Muhedini u shpreh se i duket një vendim korrekt.
“Nuk ka asgjë të keqe nga konsultimi, pasi po shikojmë që shteti grek po shprehet ashpër kundër presidentit tonë. Mendoj se veprimi i Presidentit është shumë korrekt. Ka nevojë që ai vendim, që të merret të jetë korrekt dhe në interes të shqiptarëve. Duhen diskutime teknike, pasi asgjë nuk merret vesh. Kjo mbyllje hermetike nuk e dimë se kujt i shërbën.”
Ndërsa për sa i përket protestës që do të organizohet të shtunën Muhedin theksoi se do të jetë një protestë që do të ketë përkrahjen e Çamërisë dhe jo një protestë politike.
“Do të protestojmë për paktin detar dhe Çamërinë. Shteti grek duhet të pranojë që kanë bërë genocid ndaj popullsisë çame. PDIU-ja është e interesuar për të gjithë problemet kombëtare shqiptare. Ne nuk duhet të bëhemi protoganistë, por ne duam ti shërbejmë të mirës.
Çështja çame do të jetë më e fortë, vëllezër dhe motra u bëj thirrje të jemi të gjithë bashkë, mjaft u shërbyem forcave të tjera. Ditën e shtunë protesta edhe me të mëdha. Do të kemi protesta të mëdha. Shteti grek është i vetmi shtet në botë që nuk pranon që njeriu të gëzojë të drejtat e veta. Të gjithë çamët kudo që janë do të jenë të pranishëm pasi vijnë për Çamërinë”.
M.Q/ Faxweb.al
Discussion about this post