Pak orë pas takimit të eurodeputetëve Knut Fleckenstein dhe David McAllister, me krerët kryesorë të politikës shqiptare, Edi Rama, Ilir Meta dhe Lulzim Basha, ka reaguar zyra e BE-së në Tiranë.
Nëpërmjet një njoftimi për mediat, zyra e BE-së bën me dije se kryeministri Rama kërkoi nga opozita që të votojë vetingun, ndërsa kjo e fundit kërkoi qeveri teknike dhe votim elektronik.
NJOFTIMI
Kryetari i Komitetit Për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister dhe eurodeputeti Knut Fleckenstein takuan sot mazhorancën dhe opozitën dhe patën diskutime të mira.
Të dy anëtarët e Parlamentit Europian propozuan ide se si të çohen para dekriminalizimi, lufta ndaj narkotikëve dhe garantimi i zgjedhjeve.
Gjithashtu, në takim u diskutua mbi datën e zgjedhjeve dhe mbi ndryshime të mundshme në qeveri për të krijuar një besim mes palëve.
Për mazhorancë kushti për t’u ulur në tryezën e diskutimeve ishte votimi i vetingut, ndërsa opozita kërkon qeveri teknike dhe votim elektronik për zgjedhje të lira dhe të ndershme. (D.D/Shuplaka)