Edhe pse Shqipëria nuk mundi që të bindtte dot vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që të jepnin dritën jeshile, kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij, kanë tre ditë që kanë nisur festën.
Takimi i rradhës sot ishte me strukturat e integrimit në Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme.
Rama ndër të tjera tha se kjo që vendosi BE-ja nuk ishte 12 muaj humbje kohe, po 12 muaj pune më shumë për Shqipërinë.
“Ka një ndryshim midis çeljes së negociatave imediate dhe në 12 muaj, por është shumë formal. Edhe sikur çelja e negociatave të ishte imediate, ne do të na duhej një punë përgatitore që do të merrte një kohë që shkon deri në 12 muaj.
Fakti që çelja e negociatave është e caktuar në 2019, por komisioni do të nisë menjëherë procesin përgatitor. Nuk kemi humbur 12 muaj, por kemi 12 muaj punë që do të bëheshin edhe me hapjen e negociatave”, tha Rama.
Më tej Rama ka shpërndarë dhe medalje për disa nga ambasadorët në BE, si Aida Sakiqi, Dritan Tola, Suela Janina dhe Artur Kuko.
(E.K/FAXWEB.AL)