Policia prej më shumë se tre orësh vazhdon të kontrollojë zonën rreth pallatit 7-katësh, ku ka apartamentin noteri Thoma Kaçi, i cili ra pre e grabitjes me armë dhe dhunë mëngjesin e sotëm. Po këqyret vendi për të mbledhur kamerat e sigurisë në zonë. Dalja e qytetit po kontrollohet nga një postbllok i ngritur enkas nga forcat “Shqiponja”.
Grabitësit mësohet se i kanë kërkuar noterit 100 mijë euro, ndoshta me idenë që kjo shumë ka qene brenda në banesë, por noteri i ka dhënë vetëm 20 milionë lekë të vjetra që kishte aty. Ata kanë marrë çelësat e një mjeti “Range Rover” Vogue dhe një automjeti “Mercedes-Benz”, në pronësi të noterit, por kur kanë dalë nga banesa, nuk i kanë marrë mjetet.
Po hetohet edhe një pistë tjetër, ajo për shkak të detyrës, pasi noteri prej kohësh është nën hetim nga Prokuroria e Sarandës për “shpërdorim detyre” si i përfshirë në disa shit-blerje të paligjshme dhe të falsifikuara apartamentesh në Sarandë. Ai ka qenë në banesë me bashkëshorten dhe djalin, ku grabitësit kanë hyrë me kallashnikov, i kanë lidhur dhe ju kanë marrë paratë. Ndërkohë, mësohet se bashkëshortja e noterit ka qenë drejtoreshë banke më herët.