“Nëna e Skënderbeut është serbe”, tashmë ështe debati më i fundit. Kjo teori u publikua nga Mustafa Nano por rreth saj ka reaguar edhe studiuesi Moikom Zeqo i cili thekson se kjo është një marrëzi dhe se “Vojsava nëna e Skënderbut nuk është serbe po shqiptare”.
“Ai ka nënvizuar saktësisht se Gjon Kastrioti u martua me Vojsava Tribaldën, e bija e sundimtarit të Pollogut (trevë midis Gostivarit dhe Tetovës). Në një Prokurë Noteriale, të lëshuar në 15 mars 1439, e shoqja e Gjon Kastriotit quhej Jella, pra kishte edhe këtë emër. (Që e mbante dhe vajza e tretë e saj dhe e Gjonit). Emrin Vojsava e kanë përdorur për vajzat e tyre edhe Karl Topia dhe Gjergj Arianiti. Por askush nuk ka thënë deri më sot se vajzat e tyre, për shkak të një emri si Vojsava paskëshin qenë sllavë, ose sidomos serbë etj. Gjon Muzaka në Kroniken e tij, të vitit 1510, e thotë shkoqur dhe pa asnjë mëdyshje “se Tribaldet qenë shqiptarë”., thekson Zeqo.
Më tej Zeqo sqaron se kjo është një marrëzi, shpërdorim i stërlodhshëm dhe krejt i rremë.
“Tani le të rikthehemi tek subjekti mediatik i tanishëm, që për mua është një shpërdorim i stërlodhshëm dhe krejt i rremë! Çfarë janë këto “pasione” fantazmagorike për historinë dhe sidomos për Gjergj Kastriot Skënderbeun? Për shkak të marrëzive erazmike të shqiptarëve me dituri sipërfaqësore dhe të banalitetit spektakolar të mediave, të demonizuar nga politika provinciale shqiptare? Apo një trill, një farë depresioni dhe angushtie mendore? Paqartësi, apo rikonceptualizimi dhe revionizim shkencor? Mjaft më! Mjaft më! Lëreni të qetë Skënderbeun e madh dhe të papërsëritshëm! Lëreni të qetë të patjetërsueshmin! Mjaft më!”, shprehet ai.
SHRKIMI I PLOTË:
Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk i ka bërë vetëm gati për 24 vjet (1444-1468) betejat e tij të mëdha me pushtuesit osmanë, por edhe pas vdekjes fizike, për gati 5 shekuj vazhdon një Edicion të Dytë të ndeshjes apokaliptike në betejat e fjalës, opinioneve, pohimeve dhe mohimeve nga më të skajshmet dhe më të çuditshmet, ku afirmimi i tij si Hero, jo thjesht semantik i shqiptarëve dhe i kombit shqiptar del i identifikuar nga e vërteta substanciale historike.
Po duket se kjo ndeshje nuk paska të mbaruar, duke kapërcyer mesjetën deri në kohërat moderne, madje dhe post-moderne, qoftë edhe për shkak të një ideologjie lëvizëse neo-otomaniste të strukturuar si globalizëm i një varianti militant, por edhe islamist.
Ky aktualizim i vrazhdë i mohimit të figurës së përndritur dhe epokale të Gjergj Kastriotit si dhe të shqiptarësisë së tij arrin deri atje, sa edhe në FB, në video, në You Tube edhe ca të ashtuquajtur imamër xhamish e shajnë haptas Gjergjin” si tradhtar të fesë islame,” duke bërë ashtu një mercenarizëm të neveritshëm antishqiptar dhe antihistorik, por edhe një manipulim ideologjizues fetar.
Në librin tim “Skenderbeiada” (Arnissa Edition, 2010) kam shkruar për vlerësimet negativiste ndaj Skënderbeut nga kronistët osmanë të shekujve XV dhe XVI.
Kronistë të tille si Ahmediu, Tursuni, Idris Bitlisi, Kemal Pashazade, Aliu etj shkruajnë me mllef për Skënderbeun.
Ata e quajnë “tradhtar të fesë islame, një kryengritës në “Pusin e Skëterrës” etj., një të pabesë ndaj sulltanëve etj, etj. Ja që amplifikimet, kinse të sotme, nuk janë gjë tjetër veçse imitime të përsëritshme, analogjike, të neveritshme të urrejtjes krejt të kotë, të shpërdoruar në shekuj etj.
Marin Barleti e shkroi historinë, Sagën Heroike të Skënderbeut duke e bërë një histori europiane dhe botërore. Asnjë libër nuk është ndërkombëtarizuar kaq universalisht në gjuhët linguistike të botës se sa kryevepra barletiane.
Dhimitër Frangu (1443-1525, bashkëkohës dhe e që e kishte njohur shumë afër Skënderbeun (ka qenë për pak kohe edhe arkëtar i tij) botoi gjithashtu një histori të famshme për Gjergj Kastriotin.
Kurse Frang Bardhi në 1636 e botoi librin “Apologjia e Skënderbeut” si një nga librat më të mëdhenj polemikë në rrafsh të historisë europiane, kundër falsifikimeve të origjinës etnike, shqiptare të Skënderbeut, duke përdorur një metodologji krejt moderne shkencore-me një erudicion të madh dhe analizë kirurgjikale të fakteve historike, për të mbrojtur të vërtetën.
Për origjinën e padyshimtë shqiptare të Kastriotëve kanë shkruar historianët më autoritativë shqiptarë dhe të huaj dhe gati askush nuk ka patur fuqinë, ambicien provokuese të mohojë këtë shqiptarësi identitare të kombit përkatës dhe përfaqësues.
Por ka edhe ndonjë si Shmid që e quan “babain e Skënderbeut sllav” si “vox in desertio”
Por për birin e tij nuk mund ta mohojë dot se është shqiptar, po kjo është një ” ontradictio in abjecto” ( kundërthënie e brendshme).
Dalim tashmë tek një farë zhurme, diletante, mediatike, si një shtjellim narcicist, i tezave të personave, që duan të tërheqin vëmendjen dhe të jenë në epiqendër, pra në optikën e ditës.
Është fjala e “një zbulimi se nëna e Skënderbeut është serbe etj”.
Historianë të tillë si Gjon Muzaka, Fan Noli, por edhe Kristo Frashëri dhe të tjerë janë marrë hollësisht me këtë subjekt.
Kristo Frashëri që i kushtoi gjithë jetën Eposit Kastriotas, është gati shterues në këtë problematikë, që ngjan si strategjëmë e lodhshme, ose më saktë një tautologji.
Ai ka nënvizuar saktësisht se Gjon Kastrioti u martua me Vojsava Tribaldën, e bija e sundimtarit të Pollogut (trevë midis Gostivarit dhe Tetovës).
Në një Prokurë Noteriale, të lëshuar në 15 mars 1439, e shoqja e Gjon Kastriotit quhej Jella, pra kishte edhe këtë emër. (Që e mbante dhe vajza e tretë e saj dhe e Gjonit).
Emrin Vojsava e kanë përdorur për vajzat e tyre edhe Karl Topia dhe Gjergj Arianiti.
Por askush nuk ka thënë deri më sot se vajzat e tyre, për shkak të një emri si Vojsava paskëshin qenë sllavë, ose sidomos serbë etj. Gjon Muzaka në Kroniken e tij, të vitit 1510, e thotë shkoqur dhe pa asnjë mëdyshje “se Tribaldet qenë shqiptarë”.
Sa për dijeni- për tërë diletantët e paepur- emri Tribalda, ose Triballët nuk është me origjinë sllave, por ilire.
Shihni dhe sot, treva midis Gostivarit dhe Tetovës është dhe sot e banuar nga shqiptarë autoktonë, në një vijimësi shekullore, padyshim.
Fan Noli ne Doktoraturën e tij historike, për Gjergj Kastriotin, thotë “kryezotët e Pollogut ishin shqiptarë që paktën që nga koha e Balshajve.”
Georg Hahni, Babingeri, Fallmerayeri etj nuk e vënë asnjëherë në diskutim shqiptarësinë e Heroit shqiptar, por as nuk e vënë në fuksionalizim absurd, ose klientelist etnicitetin e tij, thjesht si “luftëtar i krishtërimit.”
Kjo pikë është shumë e rëndësishme.
Të thuash se Skënderbeu ishte më shumë “i krishterë, sesa shqiptar”, është gjithashtu një nonsens logjik.
Përcaktimi “i krishterë” është multinacional, joetnik, por ndërkohë italianët, shqiptarët, spanjollët, sllavët, bizantinët etj ishin etnicitete të ndryshme, të ravizuara shumë qartë, të profilizuar si kombe te mëvetshëm, që në Mesjetë, siç e ka vënë në dukje për të Europën, mjeshtri i shkëlqyer i Mesjetës, dijetari francez Jacques Le Goff.
Mos të harrojmë, se Gjergj Kastrioti u njoh me emrin e tij turk Skënderbe, (që reflektonte konvencionalisht një tjetër fe nga krishtërimi,) por ai qe një në fakt një mbrojtës i konceptit substancial kulturologjik dhe qytetërues të Europës Perëndimore, kundër pushtimit osman-që zgjati katër shekuj -jo pak!
Në këtë pikëpamje, Skënderbeu që realisht një mbrojtës i krishterimit europian, por më shumë dhe në thelb i vetë qytetërimit europerëndimor. Që është shumë më substancial se religjioni konvencional-që disa vite më vonë do të përjetonte edhe degamat dhe shtjellimin e Reformës dhe Protestanizmit Luterian.
Ideja qëndërsuese kombëtare e Skënderbeut është padyshim një ide novatore dhe e pashembullt, ide e një mendimtari politik, jo thjesht i një mjeshtri të armëve.
Prandaj, konceptualisht Skënderbeu është figura më e madhe kombëtare e jona në të gjitha kohërat.
Ndaj është dhe do të jetë Heroi Kombëtar i shqiptarëve, të vdekur dhe të gjallë, dhe atyre që do të lindin në të ardhmen.
Kjo ide Skënderbeiane çoi në iluminimin dhe vetëdijen e shqiptarëve deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Tani le të rikthehemi tek subjekti mediatik i tanishëm, që për mua është një shpërdorim i stërlodhshëm dhe krejt i rremë!
Çfarë janë këto “pasione” fantazmagorike për historinë dhe sidomos për Gjergj Kastriot Skënderbeun?
Për shkak të marrëzive erazmike të shqiptarëve me dituri sipërfaqësore dhe të banalitetit spektakolar të mediave, të demonizuar nga politika provinciale shqiptare?
Apo një trill, një farë depresioni dhe angushtie mendore?
Paqartësi, apo rikonceptualizimi dhe revionizim shkencor?
Mjaft më!
Mjaft më!
Lëreni të qetë Skënderbeun e madh dhe të papërsëritshëm!
Lëreni të qetë të patjetërsueshmin!
Mjaft më!
(J.V/Shuplaka)