Pasditen e sotme, një histori mjaft prekëse është rrëfyer në emisionin “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”.
Një nënë e quajtur Vjollca ka ftuar djalin e saj, Eltonin, për t’i përcjellë meszhin atij që jeta vazhdon.
“Unë jetoj në Greqi dhe kam tre fëmijë, Remzien, Eltonin dhe Madjonin. Prej ’93 jetojmë në Greqi, ekonomia na shkoi mirë. Kur kam ikur dy fëmijë i kam marrë me vete, kurse Eltonin që kam thirrur sot ma mbajti mamaja ime sepse ma ka marrë që 6-muajsh dhe ma bëri 8 – vjeç dhe nuk ma jepte. Por në ’97, që filloi rrëmuja, mamaja më tha të vish ta marrësh dhe u detyrova shkova e mora dhe djalin. Punonim të pestë, ekonomia ishte shumë e mirë.”, tregon Vjollca.
Gruaja e cila ka përjetuar 100 peripeci gjatë jetës së saj, vazhdon tregimin duke thënë se bashkëshorti i saj punonte në dy punë, në ndërtim dhe si roje nate, për të rritur fëmijët në Greqi.
Mirëpo më 27 Dhjetor 2015 ai pësoi hemorragji cerebrale dhe bëri tre operacione në kokë për të shpëtuar.
Por pas dy muajsh në luftë me vdekjen, ai nuk ia doli dot.
“Kjo ngjarje na ka trishtuar jashtë mase dhe na vuri shumë poshtë si familje. Unë nuk iu jepja dot kurajë fëmijëve, por edhe fëmijët mua. Filluam punët, të ecnim, sidomos Eltoni, meqënëse kishte pikturën në zemër, bëri një festival në Greqi me shpenzimet e tij, duke i dhënë ndihmë dhe bashkia. Por atje ku thamë të fitonim, ne humbëm sepse Eltoni ishte në pistë me këngëtarët që kishte ftuar dhe tre grekë i dëmtuan të gjitha pikturat, duke i shkelur me këmbë. Kjo përsëri riktheu trishtimin tonë. Për Tonin duhej shumë kohë që t’ia hiqnim këtë mërzitje.”, vazhdon tregimin më tej Vjollca.
Por historia nuk mbaron këtu. Në 3-mujorin e përkujtimit të babait, Eltoni pëson një aksident me makinën e dhuruar nga i ati.
Në aksidentin e pësuar, shoferi tjetër ishte dëmtuar shumë dhe Eltoni kishte menduar se ka ndërruar jetë. Nga kjo frikë tregon Vjolla, i biri pësoi gjendje shoku dhe ra në koma.
“Vrapuam prap në spital, në atë spital që kishte vdekur bashkëshorti. M’u desh prapë të shkoja, ishte shumë e rëndë. E kam mbytur në lot atë spital. I shkoja Tonit pranë i flisja, por ai nuk fliste, 15 ditë ka qëndruar pa folur, i iku zëri dhe fshinin vetëm lotët e tij. I kërkuam atij çunit që të vinte, sepse Toni e mendonte të vdekur. U ngrit, erdhi dhe i shtrëngoi dorën Tonit dhe i tha se të dy jetojnë.”, tregon ajo.
Mirëpo pas disa muajsh Toni vendos të presë damarët dhe përfundon sërisht në gjendje kome.
“Sa u gdhi mëngjesi, ditë e Diel, ora 09:30, mora një telefonatë që Toni shkoi përsëri në spital. Nuk e dija ç’kishte ndodhur. Gjithmonë pyesja veten se pse Toni. Shkoj përsëri në spital, e gjej djalin përsëri në gjendje kome. Nuk më treguan ç’kishte ndodhur sepse unë nuk mblidhja dot veten. Pas 2 ditësh, një doktor më tha që djali kishte prerë damarët. Toni kur bëri festivalin, e kërcënuan jashtë mase në telefon dhe Facebook. Donin t’i merrnin jetën. Nuk mendoja më për burrin, por mendoja për djalin. Lutesha të mos më ndodhte prapë. Pas 4 ditësh djali është përmendur, por nuk gjenim dot fjalë se çfarë t’i thoshim. Më ka ndihmuar shumë vajza që ka, është greke. Jetoi me mua ditë e natë atje.”, tregon nëna e përlotur.
Kjo është arsyeja pse ajo e ka thirur të birin në anën tjetër të murit, për t’i thënë atij që të vazhdojë jetën. Edhe Eltoni i është përgjigjur pozitivisht nënës me lot në sy.
“Jeta vazhdon, një ditë do të martohem, kjo është e sigurtë. Më shumë meqë ishim edhe do jemi familje e lidhur.”, janë fjalët e Eltonit. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post